
Miliarderi rus Mikhail Khodrokovsky mori një dënim të dytë nga gjykata, që pritet ta lërë edhe 7 vjet më shumë në burg.
Armiku i kryeministrit Vladimir Putin akuzohet se përvetësoi 27
miliardë dollarë, gjatë kohës që ka qenë në krye të kolosit të naftës
“Yukos”.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kritikuar vendimin e gjykatës
ruse që dënoi për herë të dytë ish-manjatin e naftës.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka deklaruar se gjyqi ka ngritur “dyshime serioze” për sundimin e ligjit në Rusi.
“Vendimi do të ketë një impakt negativ ndaj reputacionit të Rusisë”, është shprehur shefja e diplomacisë amerikane.
Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, ka deklaruar se ndihet “shumë i shqetësuar” për vendimin.
“Mënyra se si është zhvilluar gjyqi është jashtëzakonisht e dyshimtë dhe përbën një hap mbrapa në rrugën e modernizimit të Rusisë”, ka pohuar Guido Westerwelle.
“Është në interesin e partnerëve tanë rusë që t’i marrin seriozisht këto shqetësime dhe që të ngrihen për sundimin e ligjit, demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, është shprehur ai.
Ndërsa Richard Ottaway, kryetar i komisionit parlamentar të punëve të jashtme në Britaninë e Madhe, tha se Mbretëria e Bashkuar nuk e njeh këtë vendim.
Nga ana tjetër, avokatët e Khodorkovsky kanë deklaruar se vendimi i gjykatës ishte një rezultat i presioneve politike.
47-vjecari, ish-drejtues i kompanisë së naftës “Yukos”, duhej të lirohej vitin e ardhshëm, por dënimi i ri do të zgjasë edhe për shumë kohë burgimin e tij.
Top Channel