Kaka, i pashitshëm për Florentino-n

27/12/2010 18:40

Kalimi i Kaka-së tek Interi nuk do të ndodhë, pasi presidenti Florentino Perez e cilëson si të pashitshëm brazilianin, deklaroi agjenti me liçensë të FIFA-s, Ernesto Bronzetti.

Italiani, i konsideruar si një prej njohësve më të mirë të drejtuesit më të lartë të gjigantëve madrilenë, nuk beson në spekulimet aktuale të mediave.

”Reali nuk është i gatshëm të shesë Kaka-në”, tha Bronzetti, ditën e sotme. “Me Florentino-n kemi një miqësi disavjeçare dhe vetëm përpara pak ditësh fola me të. Ishte blerja e premtuar gjatë fushatës presidenciale dhe aq kokëfortë saç është, Perez nuk do ta shesë kurrë. Maicon? Nuk ka asnjë interes nga Reali”.

Italiani vazhdoi: “Kaka i kushtoi Reali-t 70 milion euro, prandaj ai nuk mund të shitet për më pak se 50. Moratti nuk e ka një shumë të tillë parash, por edhe sikur të vendosë të bëjë një çmenduri, do të ketë një konkurrent tjetër si Chelsea, ekip i gatshëm për të bërë gjithçka për brazilianin”.

Në intervistën e tij, Bronzetti preku edhe çështjen e mbërritjes së Leonardo-s tek Inter-i dhe atë të merkatos së Milan-it. “E prisja mbërritjen e Leonardo-s, që kur dëgjova zërat e parë. Për Moratti-n është një lloj hakmarrje për Ibrahimovic-in, edhe pse duhet thënë që Leo e meritonte këtë shans të dytë si trajner në një ekip të madh.

Cassano? E njoh mirë, por kam dyshime të mëdha për sjelljen dhe atë që mund të bëjë tek Milan-i. Unë do të kisha mbajtur Ronaldinho-n. Ai me siguri do të shitet që tani në janar. Me siguri ekziston edhe një bisedë me City-n për Balotelli-n. Për momentin mund të jetë e vështirë, por një ditë edhe Mario do ta veshë fanellën e Milan-it”.

Top Channel