Nis gara e “Big Brother”

26/12/2010 08:00

Dritat e shtëpisë më të famshme në Shqipëri janë ndezur. Edicioni i katërt i “Big Brother Albania” ka filluar. Përmes një spektakli madhështor, mbushur me atmosferë festash, publiku është njohur me konkurrentët që janë pjesë e aventurës së madhe.

Ata janë: Torosi, Hënes, Mirjeta, Alma, Klodiana, Olgeri, Vladimiri, Ergysi, Alkena, Fatjona, Emilio, Imelda, Orgeni, Neda dhe Marieli.

Prej disa orësh, të 15 konkurrentët që vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga Kosova, kanë shkëputur çdo lidhje me botën jashtë.

Për të katërtin vit, Arbana Osmani prezanton këtë ‘reality show’, i ndjekur nga të gjithë shqiptarët.

Ajo ka qenë e para që është ndalur në portën e shtëpisë së madhe, ka zbuluar transformimin total të shtëpisë, hapësirat e reja dhe kushtet moderne në të cilat do të bashkëjetojnë konkurrentët e edicionit të katërt.

Secili prej tyre ka karakter të veçantë, i dallojnë pasionet dhe profesionet, por i bashkon të gjithë dëshira e madhe për të fituar.

Çmimi i madh prej 100 milionë lekësh do të ndryshojë jetën e njërit prej tyre. Gara ka filluar. Por ashtu siç kishte premtuar, “Vëllai i Madh” i ka nisur surprizat që natën e spektaklit.

Emocionet janë për publikun dhe për banorët. Pesëmbëdhjetë konkurrentët janë vënë në provë që në natën e parë. Ata kanë hyrë tashmë në shtëpi, por duhet të jenë të fortë të qëndrojnë brenda saj.

Shtatë konkurrentë do të shkojnë menjëherë në televotim gjatë spektaklit ‘live’ të datës 1 janar dhe secili prej tyre rrezikon eliminimin. Por surprizat vetëm sa kanë filluar.

Për të gjithë ata që duan të ndjekin çdo gjë që ndodh brenda shtëpisë së madhe gjatë 24 orëve, do të mund ta bëjnë këtë përmes dy kanaleve “Big Brother 1” dhe “Big Brother 2” në “DigitAlb”, kushtuar posaçërisht kësaj aventure.

Në spektaklin e përjavshëm, në studion e re të ndërtuar posaçërisht për këtë edicion, do të jetë edhe kolltuku i opinionistit. I mbajtur deri më tani surprizë, ai është Blendi Salaj, personazh i njohur i gazetarisë dhe njëkohësisht pedagog i shkencave të komunikimit.

Çdo të shtunë së bashku me Arbanën ai do të komentojë mbi secilin prej banorëve, mbi miqësitë apo grindjet e tyre, apo edhe nga lidhjet e dashurisë që mund të lindin brenda shtëpisë së famshme.

Konkurrenti i parë

I pari konkurrent që ka hyrë në shtëpinë e “Big Brother” ka qenë Toros. Ai vjen nga Durrësi, është 37 vjeç dhe prej 20 vitesh jeton në Venecia të Italisë.

Në atmosferën e zhurmshme jashtë portave të shtëpisë ku Eno Popi priti banorët, Toros ishte i pari që nisi garën.

Reagimet e tij ishin shumë entuziaste për ambientet që ka parë. Fjalët e para të thëna prej tij ishin ato të plotësimit të një ëndrre. Udhëtimet dhe debatet e politikës në forume janë pasionet e tij, ndërkohë që gjatë këtyre viteve në Itali ka provuar të bëjë disa lloje profesionesh.

“Vij shpesh në Shqipëri, sepse këtu kam një pjesë të jetës sime”, ka thënë Toros, ndërkohë që duket se i ka të qarta idetë se çfarë do të bëjë brenda shtëpisë së “Big Brother”. “Do të jem pjesë e shtëpisë me strategjitë, komplotet dhe intrigat e mia”, ka thënë ai.

Vajzat në pishinë

I dyti konkurrent që ka hyrë në shtëpi është Hënes, djaloshi nga Vlora, i cili prej shtatë vitesh jeton në Itali. “Vëllai i Madh” ka vendosur t’u bëjë një surprizë që në minutat e para të qëndrimit në shtëpi. Pranë pishinës ata shohin tri vajza me rroba banjo me maska.

Djemtë vihen në lojë. Arbana i bën të besojnë se një prej vajzave është këngëtare e muzikës popullore dhe ata duhet të gjejnë se kush është. E gjitha ishte një lojë për Toros dhe Hënes, sepse në fakt vajzat janë banoret e shtëpisë, Mirjeta, Alma dhe Klodiana. Për këtë djemtë marrin ndëshkim, Torosin e hedhin në pishinë.

Në provë tri konkurrentë

Pasi janë prezantuar konkurrentët e tjerë, Olgeri nga Tirana dhe Vladimiri, të dy artistë, më pas Ergysi nga Shkodra dhe Alkena nga Kosova, tri konkurrentët e radhës vihen në sprovë para se të hyjnë në shtëpi. Ata janë Fatjona, Emilio dhe Imelda. Dera që i çon në shtëpi është e mbyllur. Ata duhet të marrin çelësat e ta hapin. Asnjë nuk rrezikon të mbesë jashtë, por konkurrenti që nuk hap dot derën, do të varë çelësin e madh në qafë dhe merr kështu dënimin e parë. Ai shkon në televotim javën e ardhshme.

Sprovë dashurie për Hënesin

Surprizat nuk kanë të mbaruar. Hënesi vihet përballë një zgjedhje të vështirë. Në shtëpinë e “Big Brother” hyn e dashura e tij, Erila. Arbana njofton se ajo nuk ka ardhur thjesht ta takojë, por të fitojë një vend në shtëpinë e madhe. Por nga të dy vetëm një mund të rrijë brenda. U takon atyre të zgjedhin. Në fakt ishte vetëm një lojë e “Vëllait të Madh”, sepse Erila nuk është banore e shtëpisë.

Nënë e bir në shtëpi

Sapo kanë kaluar pragun, banorët provojnë shumë emocione. Brenda shtëpisë hyn Majlinda, e prezantuar si banore e re shtëpisë. Ajo është një zonjë në moshë, por banorët e besojnë. Në fakt, Majlinda është e ëma e konkurrentit që hyn më pas në shtëpi. Në fakt ai ishte gjatë gjithë spektaklit afër derës së shtëpisë, por i maskuar në rolin e badigardit. Është Mireli banori i fundit që ka hyrë në shtëpi.

Dhurata për të gjithë

“Vëllai i Madh” nuk ka harruar gjatë gjithë spektaklit se jemi në prag festash. Për secilin ishte rezervuar nga një dhuratë, hapja e së cilës ka sjellë të tjera surpriza.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta