Kaka tek Inter, arsyet pro e kundër

25/12/2010 12:10

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i vendosur t’i bëjë një dhuratë të madhe trajnerit të tij të ri, Leonardo-s dhe tifozerisë, gjatë merkatos së janarit.

Siç raporton shtypi italian prej disa ditësh, Kaka është vendosur në qendër të objektivit të kampionëve të Europës në fuqi. Përveçse do t’i rikthente entuziasmin skuadrës dhe tifozerisë, blerja e 27-vjeçarit do t’i lejonte interistët që t’i jepnin një goditje të madhe morale rivalëve të Milanit.

Operacioni mund të lehtësohet nga dy arsye madhore. E para, miqësia që ekziston midis Moratti-t dhe Mourinho-s, ndërsa e dyta, dëshira e presidentit Florentino Perez dhe trajnerit portugez për të sjellë në skuadrën e tyre mbrojtësin Maicon.

Për më tepër, njeriu që i solli Milan-it Kaka-në ishte pikërisht Leonardo. Raportet e shkëlqyera mes dyshes, sidomos në një moment kur Ricardo nuk aktivizohet pothuajse fare në “Santiago Bernabeu”, mund të rezultojnë përcaktuese.

Me Cristiano Ronaldo, Di Maria dhe Ozil, tek madrilenët duket se nuk ka hapësirë për brazilianin që të shprehë talentin e tij të jashtëzakonshëm. Megjithatë, arsyet që ndërlikojnë këtë operacion gjithashtu nuk mungojnë.

Reali i Madridit shpenzoi plot 65 milion euro për ta blerë një sezon më parë prej Milanit dhe lënia e lirë e tij do të ishte një lloj pranimi i një gabimi kolosal në merkato.

Një arsye madhore kundër kalimit të Kaka-së tek Inter-i është edhe refuzimi i mundshëm i vetë brazilianit. Ai është një milanist i vërtetë brenda dhe u detyrua të largohej me kërkesë të klubit, pasi nuk dëshironte ta bënte këtë. Mbetet për t’u parë nëse Kaka do të mund të luante me një fanellë të urryer për milanistët, siç është ajo e Interit.

Top Channel