Allegri: Unë di të zbus Cassano-n

25/12/2010 09:50

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është i sigurt se blerja e fundit e skuadrës së tij, Antonio Cassano, do të tregojë gjithçka që di të bëjë në “San Siro”.

Në një intervistë të publikuar në numrin e sotëm të “La Gazzetta dello Sport”, numri një në stolin e kuqezinjve nuk shprehu shqetësim për reputacionin e keq të barezit, famëkeq për problemet e shumta që shkakton në skuadrat ku ka qenë.

Cassano u la i lirë të largohej nga Sampdoria pa para pas një sherri me presidentin Garrone dhe Allegri deklaroi: “Cassano është një lojtar i madh, ai do të dijë të përshtatet me grupin tonë dhe çdo situatë që mund të paraqitet. Ky klub ka besim tek Antonio dhe jam i bindur që ai do të miqësohet shumë shpejt me grupin”.

I pyetur nëse Ronaldinho vazhdon të jetë në planet e kryesuesve të Serisë A, Allegri theksoi: “Askush nuk ka dyshime për cilësinë e tij, por është e qartë që nevojat e skuadrës janë ato më të rëndësishmet dhe një grup që fiton nuk është e drejtë të ndryshohet”.

Pasi shqiptoi pa frikë fjalën titull, Allegri bëri edhe një përmbledhje të sezonit të deritanishëm. “Humbja në Cesena ishte momenti më i keq i sezonit për ne, por duhet thënë se aty humbëm më shumë për gabimet tona se sa prej meritës së kundërshtarit.

Si ndeshjen më të mirë do të veçoja atë 2-2 kundër Realit. Ishte një fatkeqësi që nuk fituam, por e rëndësishme është që treguam se jemi në gjendje të luajmë si të barabartë me një prej skuadrave më të mëdha në botë.

Futbollisti perfekt? Gattuso. Kur e shoh duke bërë disa gjëra me topin them se si ka mundësi që ia del mbanë. Merkato? Nuk ka nevojë pasi në këtë moment ka shumë të dëmtuar. Kur ata të rikthehen, do të gjenim veten me një grup të tejmbushur lojtarësh”.

Top Channel