
Ronaldinho mund të mbetet brenda Italisë, ndërsa mediat italiane zbuluan në mesditë pistën e bujshme të një kalimi të mundshëm të fenomenit tek skuadra e Bologna-s.
Pasi kaloi në duart e një presidenti të ri që i dha fund problemeve financiare dhe pagave të papaguara prej muajsh, kuqeblutë kërkojnë të shndërrohen në protagonistë në merkaton e janarit.
Me Di Vaio-n në sulm, Bologna e ka një njeri që garanton gola, por me një yll pas krahëve të tij, atëherë sulmi i tyre do të ishte me të vërtetë i frikshëm. Blerja e brazilianit nuk do të përbënte ndonjë problem, pasi Milani mund ta lërë të largohet, vetëm për të mos paguar pagën e tij të lartë prej 8 milion eurosh në sezon.
Klubi i vogël i Serisë A nuk do të ishte në gjendje t’i ofronte përfitime të tilla, por mund t’i garantojë një vend si titullar çdo javë, së bashku me një rrogë prej 3 milion eurosh, e cila gjithsesi do të përbënte një sforco të rëndësishme për klubin.
Ronaldinho kërkohet edhe nga Gremio e Palmeiras-i në Brazil, por 31-vjeçari duket se nuk ka dëshirë që të largohet prej Europës.
Top Channel