
Organizmi më i rëndësishëm i futbollit europian, UEFA, konfirmoi Michel Platini-në si president edhe për një mandat të ri prej katër vitesh.
Francezi u konfirmua sot në mesditë, pasi asnjë kandidaturë nuk u paraqit kundër tij deri në afatin përfundimtar të 22 dhjetorit. Si rrjedhojë, votimet u bënë të panevojshme, ndërsa Platini do të nisë zyrtarisht mandatin e tij të dytë në 22 mars gjatë Kongresit të UEFA-s në Paris.
Në një komunikatë të UEFA-s mund të lexohej: “Deri në datën 23 dhjetor vetëm një kandidat ishte paraqitur, Michel Platini. Për këtë arsye, ai do të vazhdojë të drejtojë futbollin europian për katër vite të tjera, nga 2011-2015”.
Platini, një prej futbollistëve më të mëdhenj që ka prodhuar ndonjëherë Franca, zëvendësoi në krye të organizmit suedezin Lennart Johansson në vitin 2007.
Ai ka ndihmuar futbollin europian që të bëjë disa ndryshime të rëndësishme gjatë mandatit, si rritja e hapësirës për skuadrat e vogla në Champions dhe rritja e numrit total të pjesëmarrësve në Europa League.
Top Channel