Formula 1 drejt një xhami mbrojtës

24/12/2010 11:20

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) dëshiron që të përmirësojë kushtet e sigurisë në Botërorin e Formulës 1 dhe ideja më e mirë për momentin duket se është ajo e vendosjes së një xhami mbrojtës.

Lajmi u publikua ditën e sotme në revistën italiane “Auto”. Sipas saj, një masë e tillë do të pengonte përsëritjen e një aksidenti që për pak i kushtoi jetën pilotit Massa në 2009-n, kur një copë metalike e shkëputur nga një makinë tjetër iu përplas në kokë me një shpejtësi prej më shumë se 200 kilometrash në orë.

Ideja që po zhvillohet është ajo e një strukture tepër të fortë, në gjendje që të përballojë edhe përplasjen e një gome me shpejtësi të lartë, në mos peshën e të gjithë një veture prej 650 kilogramësh, pa dëmtuar njëkohësisht as shikueshmërinë e pilotëve.

Përpara se ideja të miratohet, testime të mëtejshme janë të rëndësishme të bëhen për të kuptuar se si do të ndikojë një xham mbrojtës në fluksin e ajrit dhe aerodinamikën e makinës.

Top Channel