Benitez i reziston shkarkimit

22/12/2010 20:10

Interi do të konfirmojë së shpejti Leonardon si trajner, por arritja e një marrëveshje me Rafael Benitezin për prishjen e kontratës aktuale do të rezultojë e ndërlikuar, pasi nuk ekziston një vullnet i ndërsjelltë.

Presidenti Moratti konfirmoi se për momentin, spanjolli vazhdon të jetë drejtuesi i zikaltërve, por njëkohësisht nuk ofroi asnjë garanci për qëndrimin e tij dhe refuzoi që t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

Siç bëjnë të sigurta mediat italiane, Benitez-it i është komunikuar fakti se Viti i Ri do ta gjejë si të papunë. Megjithatë, Interi dëshiron të mbyllë raportin pa i paguar trajnerit pagën që duhet të përfitonte deri në fundin e 2012-s.

Në lojë janë gjashtë milion euro për spanjollin dhe po aq për ndihmësit e tij, shumë nga e cila trajneri nuk është i gatshëm të heqë dorë. Ish-trajneri i Liverpool mbërriti në “San Siro” pas largimit të Mourinho-s gjatë verës, duke nënshkruar një kontratë me vlerë prej katër milion eurosh në vit.

Klubi do të përpiqet të shmangë pagesat nëpërmjet një klauzole, e cila parashikon diçka të tillë nëse vërtetohet që sjellja e trajnerit i ka sjellë dëme ekipit. Komentet e pakëndshme ndaj presidentit Moratti dhe klubit, pas fitores në Botërorin e Klubeve, mund të interpretohen si përmbushëse të kësaj klauzole, por me shumë gjasa trajneri do t’i drejtohej Gjykatës në këtë rast.

Ndërkohë, Leonardo jepet si një zgjedhje e sigurt për stolin e kampionëve të Europës në fuqi, ndërsa alternative e dytë, Spalletti, nuk ka mundur të lirohet nga detyrimi i tij ndaj Zenit-it rus.

Top Channel