Baro: Me 500 mijë garantoj medalje

22/12/2010 19:40

Kampion i Shqipërisë në mundje dhe fitues i medaljeve në disa kompeticione ndërkombëtare, Fatjon Baro, akuzon shtetin për mungesën e mbështetjes, gjatë programit të pasdites në “Top Channel”.

Prej shtatë vitesh është më i miri brenda vendit, por detyrohet të bëjë punë të rëndomta si truproje, për të siguruar një rrogë që e lejon të vazhdojë të stërvitet.

”Shteti nuk e financon Federatën dhe si rrjedhojë edhe sportistët”, thotë Baro. “Jam i detyruar që të punoj dhe të stërvitem njëkohësisht, pasi nuk kam asnjë të ardhur tjetër veç atyre që siguroj vetë. Nëse do të merrja një pagë, mund të fitoja shumë më tepër medalje”.

23-vjeçari, i cili mundi të siguronte individualisht një bursë prej 800 dollarësh në muaj për stërvitje të avancuar për Lojrat Olimpike Londër 2012, është i bindur se nëse do t’i kushtohej vetëm sportit, mund të arrinte një rezultat prestigjioz në Olimpiadë.

”Stërvitem i lodhur prej punës, nuk mund të mbaj regjim dhe ndonjë ditë, me punën që bëj, nuk përjashtohet mundësia që të dëmtohem dhe të mos mundem dot më të ushtroj sportin”, vazhdon Baro.

”Sikur të kisha një pagë normale, 500 mijë lekë të vjetra në muaj, atëherë do të mundesha të stërvitesha qetësisht dhe të arrija një rezultat të mirë në Lojrat Olimpike të pas dy viteve”, shprehet ai.

Ndryshe nga atletë të tjerë shqiptarë që kanë pranuar ofertat e Federatave të huaja dhe konkurrojnë sot nën ngjyrën e flamurëve të tjerë, Fatjoni e ka refuzuar këtë mundësi.

”Shtatë vjet më parë, gjatë Kampionatit Europian më kontaktuan gjermanët”, deklaron Baro. “I kisha të gjitha gati, asnjë problem dokumentesh, por vendosa të refuzoj. Unë dua të ngre në kompeticione flamurin tim, jo atë të shteteve të tjerë”, shton Baro.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel