
Nga viti 2000 deri në 2009 Shqipëria ka shënuar 20 pikë në renditjen e arsimit që bën Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, duke qenë një nga tre vendet me progresin më të madh.
Fakt ky që u evidentua fort nga Ministria e Arsimit, pak ditë më parë. “Shqipëria është vlerësuar në mesin e tre vende që kanë bërë progresin më të madh në arsimimin e nxënësve në 9 vitet e fundit”, deklaroi ministri Myqerem Tafaj.
Por ky tregues, që krahason progresin e bërë nga viti 2000 deri në 2009, të cilit i referohet ministri i Arsimit, nëse merret i shkëputur paraqet një situatë krejt tjetër nga e vërteta.
Sipas të njëtit raport PIZA 2009, edhe pse ka qenë një nga 3 vendet me progresin më të mirë, Shqipëria është një nga vendet me nivelin arsimor më të dobët.
Në renditjen zyrtare të PIZA-s, vendi ynë renditet i 6-ti nga fundi i listës së 65 vendeve të marra në studim nga OECD, duke lënë pas vetëm Panamanë, Perunë, Azerbajxhanin, Kirgizstanin dhe Katarin.
Renditja e OECD i klasifikon nxënësit shqiptarë dukshëm më pak të përgatitur se sa fqinjët e tyre bullgarë, malazesë apo serbë, si në shkrim ashtu edhe në matematikë e shkenca të tjera.
Treguesi i progresit në rastin e Shqipërisë rritet artificialisht për shkak të nivelit të ulët të sistemit arsimor.
E thënë ndryshe, për një vend me sistem arsimor të zhvilluar, sic janë vendet e OECD, do të ishte e pamundur që të shënonte një rezultat të tillë si ai i Shqipërisë.
Dhe së fundi, edhe pse ka qenë një nga tre vendet me progresin më të madh në arsim gjatë peirudhës 2000-2009, Shqipëria ka mundur të lëra pas në renditjen e përgjithshme përgjatë kësaj kohe vetëm 4 shtete, duke u ngjitur nga vendi i parafundit në vendin e 6-të nga fundi.
Top Channel