Shtypi italian: Benitez është shkarkuar

21/12/2010 14:15

Një telefonatë e realizuar sot në mesditë lajmëroi trajnerin e Interit, Rafael Benitez-in, për vendimin e shkarkimit të tij prej klubit, lajmëruan mediat e vendit fqinj, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet nesër.

Sipas të gjitha gjasave, do të jetë Leonardo numri një i stolit zikaltër, ndërsa shanset për Spalletti-n janë të pakta. Moratti është duke projektuar, njëkohësisht, një rikthim të bujshëm të Mourinho-s në “San Siro”.

Murmurimat e rikthimit të portugezit kanë filluar të shtohen, sidomos pas akuzave që ai lëshoi publikisht kundër Realit të Madridit dhe presidentit Florentino Perez. E përditshmja sportive spanjolle “Marca”, në numrin e saj të sotëm titullonte duke iu referuar Mourinho-s: “Nuk munden as të më shohin me sy”.

Pavarësisht se madrilenët janë në garë për titullin në kampionat, Champions dhe Kupën e Mbretit, humbja 5-0 në klasiken me Barçën nuk është gëlltitur ende dhe i qëndron portugezit mbi kokë si Shpata e Demokleut.

Moratti, nga ana e tij, po kalon pushimet e përpara festave në Madrid, ku besohet se do të diskutojë edhe me trajnerin e Realit mbi planet e së ardhmes. Propozimi që Moratti mund t’i bëjë Hose-së është ai i dorëzimit total të çelësave të Interit, përfshi financat dhe merkaton.

Ndërkohë, Leonardo pritet të rikthehet përsëri në Milano. Për Moratti-n, zgjedhja e brazilianit është e preferuar edhe sepse ajo nuk do t’i pëlqente aspak drejtuesve milanistë, të cilët një vit më parë i besuan skuadrën.

Deri disa ditë më parë ishte Spalleti në “pole-position” për stolin e zikaltërve, por rezistenca e pronarëve të Zenit Shën Pjetërburgut, Gazprom, e ka bërë pothuajse të pamundur gjetjen e një marrëveshjeje.

Top Channel