Makinat e F1, skicohet revolucioni madhor

21/12/2010 13:50

Makinat e Formulës 1 janë pranë një revolucioni total, që do t’i bëjë disi më të ngadalta, por do të ulë më tej kostot, informoi gjatë drekës “BBC”.

Makinat do të kenë krahë aerodinamikë më të vegjël dhe pjesë të poshtme të projektuara posaçërisht për të krijuar më shumë forcë rëndese në qendër të makinës. Do të konsumohet 35% karburant më pak, por garimi do të jetë më sfidues dhe mundësitë për parakalime më të mëdha.

Ndryshimet, të cilat pritet të hyjnë në fuqi plotësisht në vitin 2013, janë projektuar prej inxhinjerëve Patrick Head dhe Rory Byrne. Ato përfaqësojnë revolucionin më të rëndësishëm që prej modifikimeve të para në vitin 1983.

Projekti i ndryshimeve të supozuara do t’i dërgohet për studim të gjitha skuadrave javën e ardhshme, për t’u biseduar gjerësisht në mbledhjen e Grupit Teknik të Punës së Formulës 1 (TWG), në plan për t’u mbajtur gjatë janarit. Ndryshimet e propozuara do të jenë këto:

–    Krahë aerodinamikë shumë më të vegjël në pjesën e përparme dhe të pasme.
–    Një proporcion shumë më i madh i forcës së rëndesës do të krijohet prej pjesës së poshtme së makinës, e cila do të riprojektohet posaçërisht. Aktualisht forca rëndesës përqendrohet në krahët e mjetit
–    Kjo pjesë nuk do të jetë më e rrafshtë, si në momentin aktual, por e lakuar dhe e rrumbullakosur, për herë të parë që prej vitit 1982
–    Do të reduktohet forca totale e rëndesës së krijuar prej makinës
–    Aftësia e makinës për të garuar me marshin më të lartë do të reduktohet në 50% të xhiros, nga 70% që është aktualisht
–    Gomat do të mbeten të mëdha dhe të trasha, për të siguruar që shpejtësia në kthesa të mbetet e lartë

Top Channel