Milan-Cassano, debutimi në Dubai

20/12/2010 15:10

Karriera e Cassano-s me fanellën e Milanit do të nisë në datën 2 janar, kur klubi të jetë duke zhvilluar fazën përgatitore në Dubai. Lajmin e bënë të ditur mediat italiane ditën e sotme.

Zyrtarizimi i kalimit të barezit në “San Siro” nuk është bërë ende, por nuk ka dyshime që kjo do të ndodhë së shpejti. Mbetet ende pengesa e pesë milion eurove që i duhen paguar Real Madrid-it, por raportet e mira të madrilenëve me klubin e Berlusconi-t favorizojnë një zgjidhje të shpejtë.

Mediat bëjnë të sigurt se Cassano do të ngjitet në avion me shokët e tij të rinj të skuadrës në nisjen e datës 27 dhjetor, për të zbritur për herë të parë në fushë me fanellën e re menjëherë pas Vitit të Ri.

Megjithatë, ndryshe nga sa ishte besuar më parë, mbërritja e sulmuesit nuk do të provokojë largimin e Ronaldinho-s, pjesërisht sepse 29-vjeçari ka luajtur më parë në Champions me Sampdorian dhe sipas rregullave, nuk mund të luajë me një klub të dytë brenda sezonit.

Një arsye e dytë, është edhe mungesa e ofertave serioze për brazilianin. Asnjë klub nga SHBA nuk ka shprehur kurrfarë interesi deri tani, ndërsa Gremio dhe Palmeiras në Brazil nuk duken të gatshëm të bëjnë një sakrificë ekonomike.

Top Channel