
Rafael Benitez është i sigurt se spekulimet e shtypit janë të pavërteta dhe se fjalët e tij kundër presidencës së Interit pas finales së Abu Dhabit nuk do të provokojnë shkarkimin e tij.
Në mediat italiane, Benitez reagoi gjatë pasdites: “Nuk është e vërtetë se jam shkarkuar apo do të shkarkohem. Habitem se si ka mundësi që të shkruhen gjëra të tilla. Unë vazhdoj të kem mbështetjen e plotë të klubit”.
Aktualisht, trajneri zikaltër ndodhet me pushime në Liverpul dhe sipas mediave, do të vazhdojë të qëndrojë atje si i papunë. “Kam shkuar në Angli për arsye personale, por ju garantoj se do të jem unë në krye të ekipit kur të nisë faza përgatitore e janarit”, shtoi spanjolli.
Benitez shpjegoi edhe arsyet e kritikave të tij në media ndaj Moratti-t. “Kur mbërrita tek Interi, bëra kërkesat e mia në merkato dhe presidenti më tha se dukej që vija nga Anglia, ku isha një manaxher dhe jo trajner i thjeshtë. Thashë vetëm ato që mendoj dhe që klubi i di prej kohësh, nuk ka asnjë skandal”.
Sipas Benitez-it, projekti i tij do të shndërrojë kampionët e Europës në fuqi në Barcelonën e Italisë. “Plani që i kam paraqitur presidentit e ka entuziasmuar dhe futbollistët që dëshirojmë të bëjmë tanët, do të shndërronin Interin në Barcelonën e Serisë A”.
Përsa i përket grupit aktual të futbollistëve, Benitezi nënvizoi se: “Eshtë një grup shumë konkurrues, por jo gjithmonë ka qënë e lehtë të ruhej motivimi i nevojshëm. Kemi patur shumë dëmtime, por është e qartë se çdo klub në botë mund të përmirësohet me merkato”.
Pavarësisht se sipas Benitez-it, qëndrimi i tij në “San Siro” është i sigurt, në të njëjtën faqe interneti të “la Gazzetta dello Sport”, votohej për sondazhin: Kush do të jetë trajneri i ri i Interit, Leonardo apo Spaletti?
Top Channel