Ranieri-Borriello sfidojnë Milanin

18/12/2010 12:00

Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, nuk deshi ta cilësonte përballjen e
mbrëmjes së sotme ndaj kuqezinjve si një finale, ndërsa Marco Borrielo
deklaroi se nuk do të ndihet aspak i emocionuar kur të luajë kundër
ish-shokëve të tij të skuadrës.

Milani kryeson renditjen e Serisë A me 36 pikë pas 16 javësh dhe sipas mediave italiane, Roma duhet të fitojë me çdo kusht për të mbetur në garën për titullin kampion.

“Eshtë një garë shumë e rëndësishme, nuk ka dyshim, por jo treni i fundit për titullin”, theksoi Ranieri. “Jemi dhjetë pikë më pak dhe e meritojmë të jemi në këto pozita, por mos harroni se një vit më parë ishim shumë më poshtë në këtë moment, por luftuam deri në javën e fundit për titullin”.

Rreziku më i madh për verdhekuqtë do të jetë Zlatan Ibrahimoviç, ylli i kuqezinjve, që po kalon një moment të shkëlqyer. “Do t’i kërkoj vëmendje më të madhe mbrojtësve të krahut, pasi janë aty pozicionet nga ku ai gjen më shumë hapësira”.

Tekniku roman ka vetëm lëvdata për kolegun e tij të Milanit. “Allegri ka ndërtuar një skuadër shumë efikase dhe të bukur për t’u parë. Më përpara ata ishin një ekip që i linin iniciativën kundërshtarit, ndërsa tani ushtrojnë presion, vrapojnë dhe kërkojnë vazhdimisht topin”.

Nuk do të jetë në fushë, për arsye dëmtimi, malaziasi Mirko Vuçiniç, por Marco Borriello është i gatshëm që të bëjë të qajnë ish-kolegët e tij. “Maska që do të mbaj më bezdis pak për të marrë frymë, por e rëndësishme është që mund të luaj. Milani është një ekip i madh dhe kam kujtime të shkëlqyera, por unë jam një profesionist dhe do të jem i qetë e i përqendruar në fushën e lojës”, përfundoi autori i dhjetë golave në këtë kampionat.

Top Channel