Liga e Europës, luhen ndeshjet e fundit

16/12/2010 23:40

Juventusi mbyll aventurën europiane me një tjetër barazim, 6 në 6 ndeshjet në grupe. Përballja e bardhezinjve me Mancester Sitin ka përfunduar me rezultatin 1-1, duke mosvlejtuar aspak për italianët, të eliminuar që në ndeshjen e shkuar ndërkohë që Siti me këtë pikë të marrë, mban kreun e grupit A me 11 pikë.

Në mbyllje të pjesës së parë të takimit, një asist i kapitenit Del Piero shfrytëzohet mjaft mirë nga i riu Nikolo Xhaneti. Gjithsesi goli i tij bëhet i pavlefshëm në pjesën e dytë kur Xho barazon shifrat, që mbetën të tilla deri në vërshëllimën përfundimtare.

6 ndeshje 6 barazime, është një rekord më vete që ashtu si Juventusi në këtë edicion e ka bërë më parë AEK-u i Athinës në sezonin 2002/03.

Me 11 pikë e mbyll këtë fazë dhe Leh Pozhnan i cili ka fituar 1-0 me Salzburgun në transfertë, por renditet në vendin e dytë pas Sitit.

Ndërkohë nuk mund të vazhdojnë aventurën e tyre në Europa Ligë kampionët në fuqi të Atletikos së Madridit me barazimin 1-1 ndaj Leverkusenit.
Pasi kanë mbyllur pjesën e parë në barazim 0-0, në të dytën, në të 69-n minutë, Helmes kalon gjermanët në avantazh pas asistit të Kisling, por vetëm 3 minuta ka zgjatur ky avantazh pasi Merida barazon në 1-1, një gol i pamjaftueshëm ky për të ndihmuar Atletikon që të vazhdojë për në fazën tjetër të kësaj veprimtarie.

Në eliminimin e tyre ka ndikuar edhe fitorja e Arisit të Selanikut 2-0 me Rozenborgun, që ngjit menjëherë skuadrën greke në vendin e dytë në grup duke regjistruar një arritje historike për ta.

Dy gola në limitet e dy periodave i kanë mjaftuar për të mundur Rozenborgun që nuk luante për asgjë. Në minutën e 45-të zhbllokon shifrat Cezarec, ndërsa në minutën e 90-të Fati shënon edhe golin e dytë, për Arisin e Selanikut, skuadër në të cilën aktivizohet në formacion edhe mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë Kristi Vangjeli.

Në grupin C, Sportingu e mbyll këtë fazë në krye pavarësisht humbjes 1-0 nga Levsfki i Sofjes, ndërkohë që pas tyre në vendin e dytë është ngjitur Lila falë fitores 3-0 me Gentin.

Top Channel