
Dita e 15 dhjetorit, e para për lëvizjen pa viza të shqiptarëve në shumë vende të Europës, është në fakt, thjesht përsëritja e një historie të vjetër. Studiuesi Gazmend Bakiu është këmbëngulës në këtë pike.
“Në vitet 20-30 shqiptarët kanë pasur të drejtë të lëvizin lirshëm jo vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe më gjerë. Sigurisht ka pasur marrëveshje konsullore që disa shtete i kishin pa vizë dhe disa shtete me vizë, por nuk ndodhte asnjëherë që viza t’u refuzohej shqiptarëve”, thotë Gazmendi.
Por si ishte pasaporta e dikurshme shqiptare? Çfarë vlere kishte ajo? Kush ishte shqiptari që udhëtonte me këtë pasaportë dikur? Ajten Toptani mban mend rrëfimet e gjyshit të tij.
“Familja ime dhe qyteti i Tiranës nuk ka pasur ndonjë traditë të madhe përsa i përket emigrimit, sepse duke qenë një nga pjesët më të begata të Shqipërisë nuk e kishin të nevojshme. Por kryesisht lëvizjet konsistonin në shkollimin”, tregon Ajteni.
Një pasaportë shqiptare e viteve 20-30 ishte një dokument i respektuar dhe një refuzim vize apo udhëtimi për mbajtësin e saj, tërësisht e imagjinueshme.
“Vendet kryesore që preferonin të shkonin njerëzit e mi ka qenë Vjena, por nuk përjashtohej edhe Roma, Berlini apo Parisi”, shprehet Ajteni.
Studiuesi Bakiu na tregon diçka më tepër se si ishin këto pasaporta, aspak biometrike, por plot dinjitet.
“Në 1929 nuk i shkonte ndërmend njeriut të falsifikonte pasaportën, sepse nuk kishte asnjë arsye. Nuk njihet ndonjë rast i tillë, në vitet 20-30, që një shqiptar falsifikonte një pasaportë”, thotë Gazmendi.
Mirëpo përtej falsifikimeve apo jo në faqen e brendshmë të asaj pashaporte ishin gjashtë pika që e përcjellin mentalitetin e kohës, ku shqiptarëve u kërkohej të mos kishin komplekse inferioriteti ndaj askujt vendi dhe të shfaqnin kudo atdhedashurinë në çdo formë të mundshme.
“Pasaporta shqiptare ishte e respektuar dhe shqiptarët asnjëherë nuk ndiheshin inferiorë në shtetet ku shkonin dhe nuk kishte trajtime të diferencuara siç ka ndodhur. Si parim ne kemi kapur një standard që 70-80 vjet përpara e kemi pasur si shtet”, shprehet Gazmendi.
Këto ishin kohët e arta të pasaportës shqiptare. Pas një shkëputjeje izoluese dhe egocentrike për afro 50 vjet, shqiptarëve iu desh të riprezantoheshin me dokumentin e tyre të identifikimit.
“Më vonë kur u formuam dhe u rritëm njëçik shikoja nëpërmjet fotografive, kontaktet e para të këtyre lëvizjeve. Shikoja peisazhe dhe qytete që nuk i njihja dhe gjithnjë bëja pyetje. Por ishin të rezervuara bisedat për të lëvizur”, thekson Ajteni.
Ndoshta sot shqiptarët lëvizin e studiojnë jashtë, por shumë ende janë emigrantë ekonomikë.
“Stërgjyshi im ka qenë ndër të parët që ka studiuar në universitetin e Sorbonës në vitin 1800, por ka pasur edhe vende të tjera si Milano, Austri, Vjenë”, thotë Ajteni.
Rikthimi i udhëtimit të lirë për shumë shqiptarë, është megjithatë thjesht një korrigjim i një të drejte që shqiptarët e kanë pasur dikur. Kolonitë e dendura të shqiptarëve të brezit të parë në SHBA, Kanada, Argjentinë e Australi janë dëshmitaret e asaj sesa larg shkonte mundësia për punësim e një të papuni shqiptar. Ndërsa për të pasurit, liberalizimi i lëvizjes, ishte shpesh një pjesë e stilit të jetës.
“Ishin edhe udhëtimet qoftë edhe për pushime. Mbaj mend nga xhajallarët e mi që tregonte se kur shkonin në Itali, në periudhën e viteve 29-30 shkonin gjithnjë në Italinë e Jugut ku për të kaluar pushimet shkonin në familje të varfëra të Leçes që gjatë periudhës së pushimeve t’i ndihmonin edhe ata financiarisht”, tregon Ajteni.
Top Channel