Haxhinasto në samitin e Shkupit

15/12/2010 08:10

Samiti i Lisbonës dhe perspektivat e reja të Integrimit Euroatlantik, do të përcaktojnë axhendën e takimit të Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (5).

Në këtë aktivitet, që zhvillohet në Shkup në kuadër të kryesisë maqedonase, Shqipëria do të përfaqësohet me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, i cili do të përcjellë angazhimin e vendit tonë në kuadër të proceseve integruese.

Me interes është pjesëmarrja e ministres në detyrë të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila përfaqëson vendin e vet në një zhvillim rajonal me rëndësi. Në vetvete, aderimi i Kosovës është formalizim i perspektivës së saj euroatlantike, pavarësisht koniunkturave të Ballkanit, vendet e të cilit jo të gjithë e njohin shtetin e ri.

Po kështu, në kuadër të vizitës së tij, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto do të zhvillojë takime me homologët e tij dhe me përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Në këtë takim pritet të marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës dhe zyrtarë të lartë të SHBA-së.

Në përfundim të takimit, vendet anëtare të Kartës së Adriatikut do të miratojnë edhe një komunikatë finale.

Top Channel