
Presidenti Bamir Topi dekretoi dje shpalljen e ligjit “Për buxhetin e vitit 2011”, i miratuar në Kuvend në seancën plenare të 2 dhjetorit.
Kreu i shtetit i ka dhënë në këtë mënyrë fund të gjitha dyshimeve për kthim prapa të buxhetit të shtetit për vitin 2011. Buxheti u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita kërkoi rishikimin e tij.
Nga ana tjetër, pas përmbytjeve të fundit në Shkodër, opozita vazhdon të këmbëngulë për një rishikim total të buxhetit dhe kalim të fondeve të investimeve vetëm për të zgjidhur përfundimisht problemin e përmbytjeve në Veri të vendit.
Buxheti 2011, sipas qeverisë, synon të mbështesë disa sektorë si: arsimi, bujqësia, shëndetësia dhe infrastruktura. Nëpërmjet zbatimit të tij, duke filluar nga muaji korrik 2011, pagat parashikohet të rriten nga 5-7%, ku rritjen më të madhe do ta kenë pagat e ulëta, ndërsa pensionet parashikohen të rriten 10%, ku sërish do të ketë diferencim, pasi rritjen më të madhe do ta kenë pensionet e ulëta dhe ato të fshatit.
Vlen të theksohet se opozita e ka pasur kontestimin e saj për buxhetin 2011 që në zanafillën e këtij procesi. Si argument të parë, opozita ka përdorur vonesën e kohës së ardhur të buxhetit nga ekzekutivi në Parlament dhe së fundi pasi nuk mori pjesë në votim kërkon edhe rishqyrtim të buxhetit për shkak të përmbytjeve në veri të vendit.
Top Channel