Pensionet e ish-ushtarakëve, akti normativ në komisione

14/12/2010 16:05

Komisioni i Sigurisë Kombëtare i dha fund shqyrtimit në komisione
parlamentare të një akti normativ në lidhje me sigurimin shoqëror
suplementar të ish-ushtarakëve.

Deri më sot, ushtarakët, policët, punonjësit e Policisë së Burgjeve, Punonjësit e Gardës, të SHISH-it apo të Policisë së Mbrojtjes nga zjarri, përvec sigurimit shoqëror të përgjithshëm prej 11.2% të pagës bruto, paguanin një kontribut shtesë prej 2% të pagës bruto.
Ky kontribut shtesë, tani rritet në 5%. Kjo bëhet për të përballuar koston financiare të pensioneve të parakohshme, që mund të vijë si pasojë e lirimit nga detyra e ushtarakut. Me aktin e ri normativ dhe formulën e përllogaritjes së pensioneve të parakohshme, ato nuk mund të jenë më të vegjël se pensioni minimal në Republikën e Shqipërisë, por nuk rriten dot as më shumë se 21 380 lekë. Kësaj i shtohet kompensimi për energjinë elektrike dhe e drejta për të punuar në një punë tjetër, pa e humbur pensionin e parakohshëm. Mirëpo shoqatat e ish-ushtarakëve protestojnë.
Një vendimi i gjykatës kushtetuese i qershorit të këtij viti, ka hequr tavanet për pensionet e parakohshme. Por po të zbatohej formula pa tavan, një pensioni i parakohshëm maksimal i një gjenerali me 27 vjet karrierë, mund të kapte 107 300 lekë, pra thuajse sa rroga neto e sekretarit të përgjithshëm në ministrinë e linjës. Vec kësaj, impakti financiar i pensioneve të parakohshme në buxhetin e shtetit do të ishte 1.2 mld lekë në vit.
 “Gjendemi përballë të drejtës dhe pamundësisë për të plotësuar këtë të drejtë, për shkak se përllogaritja nuk referohet ne nje ligj po ne një vendim te Gjykates Kushtetuese”, tha Lindita Rusmali, drejtoreshë juridike në Ministrinë e Financave.
Ish-ushtarakët protestojnë dhe vënë në dukje plot kontradikta që sipas tyre ka kuadri ligjor. Në një letër dërguar komisionit ata kërkojnë mos krijimin e kufizimeve artificiale. Socialistët kërkuan që seanca të shtyhej për t’u zhvilluar me praninë e shoqatave të ish-ushtarakëve, që në ato momente ishin mbledhur në një takim me kryetarin e Partisë Socialiste. Mazhoranca refuzoi ta shtyjë seancën dhe nënkryetari i komisionit Ilir Gjoni bëri një deklarata politike. Më pas socialistët deklaruan votën kundër aktit normativ dhe lanë sallën.
Ish-ushtarakët përfitojnë pension të parakohshëm deri në momentin e mbushjes së moshës për pension pleqërie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA