Mjeku i familjes

14/12/2010 19:30

Në Perëndim mjeku i familjes konsiderohet anëtar i saj.

Njeriu që i besohet shëndeti i gjithë familjes nuk ka arritur të njëjtin status këtu në Shqipëri. Edhe pse prezent që në vitin 1994, ende roli i mjekut të familjes nuk njihet nga qytetarët.
Entela Prence është një nga 1500 mjekët e familjes në Shqipëri.  Ajo prej 4 vitesh mbulon gati 3 mijë banorë të rajonit të poliklinikës nr 9.
Doktoresha kryen rreth 30 vizita në ditë dhe për familjet që janë frekuentuese të rregullt të saj, di gjithçka lidhet me sëmundshmërinë.
Shpesherë diskutohet se mjeku i familjes është kthyer në sekretar duke mbushur shkresurina dhe lënë mënjanë depistimin e popullatës. Këtë e pohojnë vetë pacientët, të cilët theksojnë se prej vitesh mjeku i familjes nuk troket më në dyert e tyre. Por këtu duhet sqaruar termi mjek i familjes dhe mjek në familje.
“Mjeku i familjes shërben si porta e parë ku duhet të trokasë çdo pacient për të gjitha problemet që ka. Nëse mjeku i familjes nuk ka mundësi ta zgjidhë problemin, i jep rekomandimin për në spital. Quhet mjek familjeje sepse e gjithë familja ka atë mjek por jo “mjek në familje”. Për këtë duhet të jemi të qartë”, shprehet Preçe.
Megjithatë rregullat e pasqyrojnë qartë se mjeku i familjes duhet të jetë prezent me vizita apo konsulta dhe në shtëpitë e qytetetarëve.
“Ne kryejmë vizita në familje për raste urgjente”, sqaron Preçe.
Shpeshherë diskutimet për mjekun e familjes janë fokusuar dhe tek diferenca e nivelit që kanë me mjekët e spitaleve. Një perceptim që është i ndjeshëm tek qytetarët.
Fëmijët dhe të moshuarit janë frekuentuesit kryesorë të mjekut të familjes ndërkohë që ka mungesa tek  mosha e mesme.
“Janë një grup moshash që janë më larg mjekut të familjes: 40, 50, 60 vjeç”, thekson Vjollca Konica, kryetare e shoqatës se mjekëve të familjes.
Me sistemin e ri të referimit ku pa një rekomandim të mjekut të familjes nuk mund të kryesh asnjë vizitë në spital janë rritur ndjeshëm vizitat tek shërbimi parësor. Vitin e fundit raportohen rreth 5 milion vizita pranë mjekut të familjes. Pavarësisht vullnetit të pacientëve për të respektuar apo jo hallkat e sistemit shëndetësor, me këto masa shtrënguese ata do jenë të detyruar ta njohin dhe ta respektojnë mjekun e familjes.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA