Kushtetuesja, mandati i Beqajt, më 23 dhjetor

14/12/2010 08:25

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë javën e ardhshme amendamentin Gumi, kërkesën e PS-së për interpretim të tri neneve dhe raportin e Kuvendit për mandatin e Ilir Beqjas.

Të martën e ardhshme kërkesa e parë që do të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese është amendamenti i deputetit Viktor Gumi që mban firmën e 1/5 e deputetëve të Kuvendit. “Interpretimi përfundimtar i nenit 125, paragrafi 1 dhe 2, si dhe nenit 136, paragrafi 1 dhe 5, vetëm për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, neni 125, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë” do të shqyrtohet më 21 dhjetor.

Një ditë më pas, Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për interpretimin përfundimtar të katër neneve, 69,70,71 dhe 72 të Kushtetutës. Data 23 dhjetor do të jetë shumë e ngarkuar për politikën, pasi në këtë datë do të vendoset për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe zhvillohet edhe mocioni me debat ndaj Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Po në këtë datë, më 23 dhjetor, Gjykata Kushtetuese do të japë verdiktin e saj edhe me “Konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin të deputetit Ilir Beqja, sipas nenit 70, pika 4 të Kushtetutës”.

Top Channel