
Partia Demokratike do të festojë pasditen e sotme 20-vjetorin e krijimit të saj. Holli i pallatit të kongreseve pritet të mbushet sot nga mbi 200 persona, të cilët do të kremtojnë edhe përvjetorin e themelit të partisë së parë pluraliste në Shqipëri.
Organizatorët e kësaj feste bëjnë të ditur se në të përveç drejtuesve aktualë, deputetëve, anëtarëve të kryesisë së PD-së dhe përfaqësuesve të tjerë të strukturave demokrate, do të ketë edhe shumë të ftuar.
Ftesa për këtë 20-vjetor janë dërguar nga ana e organizatorëve për të gjithë themeluesit e Partisë Demokratike, ku përfshihen figura një pjesë e të cilëve nuk janë më pjesë e Partisë Demokratike. Por nga ana tjetër ftesa për të marrë pjesë në këtë ceremoni janë dërguar edhe në drejtim të Partisë Socialiste dhe partive parlamentare të së majtës ku përfshihet dhe Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut.
Një festë për këtë ceremoni i është dërguar edhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Eduard Selami, i cili prej pak ditësh është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për festat e dhjetorit. Ndonëse në këtë festë pavarësisht ftesës nuk pritet pjesëmarrja e kryetarit të PS-së, Edi Rama, pritet që një pjesëtar i grupit parlamentar të socialistëve të marrë pjesë në këtë ceremoni. Fjala e rastit në këtë ceremoni pritet të mbahet nga Kryeministri Berisha, i cili është edhe kryetari i parë dhe aktual i Partisë Demokratike. Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha dha një intervistë të gjatë për sa i përket lëvizjes studentore, krijimit të Partisë Demokratike dhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme që zunë fill në dhjetorin e vitit 1990.
Top Channel