Axhenda e re për rritjen ekonomike

14/12/2010 08:50

Shqipëria mund të ruajë ritmet e rritjes ekonomike në të ardhmen përmes zbatimit të një modeli të ri politikash dhe reformash të fokusuara kryesisht në arsim, aftësitë, zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, sektorit të energjisë dhe një qeverisjeje më të mirë e zbatimit të ligjit.

Përmbajtja e politikave të reja thuhen në raportin e botuar së fundmi nga BB-ja, i quajtur “Një axhendë e re e rritjes ekonomike”, që është rezultat i një pune të gjerë kërkimore dhe analizash të kryera nga banka në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe shqiptarë.  

Raporti është në vazhdën e raporteve të fundit të Bankës Botërore duke u përqendruar në analizat dhe rekomandimet që lidhen me cilësinë e kapitalit njerëzor përmes arsimimit dhe konsolidimit të infrastrukturës bazë (teknologjia e informacionit e komunikimit dhe energjia), të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për rritjen e ardhshme ekonomike.

Për t’i kompletuar këto masa, një çështje e rëndësishme për kompanitë është fakti se deri në ç’shkallë angazhohet qeveria dhe zbaton ligjet dhe rregulloret ekzistuese në një mënyrë konsistente dhe koherente.

 

Top Channel