Anëtarësimi në BE, Shqipëria si gotë gjysmë bosh

14/12/2010 23:40

Brukseli konkludon se Shqipëria nuk i përmbush kushtet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. 27 ministrat europianë arritën në këtë përfundim të martën për vendin tonë, ndërsa shqyrtonin paketën e zgjerimit.

Në fund të mandatit të saj, Presidenca Belge vlerësoi se për Shqipërinë duhet të përdoret ende teoria e “gotës gjysmë-bosh”.

Top Channel: Tek konkluzionet e Këshillit për Shqipërine ka diçka që nuk kuptohet mirë. Në paragrafin e parë, ju thoni se Shqipëria ka bërë progres për arritjen e kriterit politik të Kopenhagenit”, ndërsa në paragrafin e dytë, ju i bëni thirrje partive politike që të kapercejnë ngërçin aktual politik. A mund të më thoni ju lutem se cili është progresi atëherë në kriterin politik të Kopehagenit?

Steven Vanackere, Ministër i Jashtëm, Presidenca Belge: Nuk do të jem i gjatë këtu. Natyrisht që bëhet fjalë për funksionimin e duhur politik, një qeveri, të përcaktuarit mirë të partive politike, kjo është diçka shumë e dëshirueshme. Kriteret e Kopenhagenit janë diçka që nuk bazohen në të, pra janë dy çështje të ndryshme.

Top Channel: Paragrafi i dytë përmend gjithashtu 12 prioritetet që përcaktoi opinioni i Komisionit, që kanë lidhje me kriterin politik të Kopenhagenit, ndaj duket pak e çuditëshme që vlerësohet se ka progres. Ju nuk thoni se vërehet pak, apo disi progres, por e theksoni që vendi ka bërë progres. Atehere ku mund ta argumentoni?

Vanackere: Më vjen keq nuk do të bëj argumentim. Ndoshta kur të jem më pak i lodhur do të jem në gjendje të argumentoj. Këto tekste thone atë që thonë e nënkuptojnë atë që nënkuptojnë. Mendoj se janë të qarta kristal. Gjithmonë bëhet fjalë nëse gota është gjysmë plot apo gjysmë bosh, bëhet fjalë për të paturit parasysh të progresit, por duke përcaktuar se çfarë duhet bërë e në këtë aspekt mendoj se qendrimi ynë është i drejtë. Teksti ka të bëjë me filozofinë e përgjithshme për të garantuar se ne nuk rrisim pritshmëritë në kokat e njerëzve që mendojnë se proçesi i anëtarësimit është diçka që bëhet veç me kalimin e kohës, por nevojitetet të bëhen ndryshime në disa fusha të domosdoshme. Mendoj se vlerësimi ynë identifikon fushat se ku nevojitet që të bëhet progres. 

Pergatiti: Arta Tozaj

Top Channel