Ka ngelur vetëm entuziazmi për rezultatet. Një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, kur nuk pritet të flitet për pjesemarrjen, flitet për Drenicën.

Skenderaj futet edhe një herë në histori dhe thyen paragjykimet ose për mospjesëmarrjen e qytetarëve në procesin demokratik, ose për faktin se votat nuk mund të vidhen.

Nëse ky rezultat pranohet, atëherë Kosova mund të llogarisë se ka nivel demokracie më të lartë se Belgjika, ku me ligj dënohesh me gjobë nëse nuk voton, por edhe atje sërish nuk arrihet përqindja maksimale.

Në Skenderaj, si për humor, zgjedhjet vlerësohen shumë demokratike edhe kur demokracia vlerësohet në formën e barsaletës.

Jashtë objektivit të kameras, njerëzit thonë se zgjedhjet kanë qenë aq demokratike, sa që kanë votuar aq herë sa kanë dashur.

Por, këtë nuk e pranojnë para kamerave. Ata janë të shqetësuar që komuna e tyre akuzohet.

“Sa i përket komunës së Skënderajt nuk është vjedhur asnjë votë, s’ka pasur asnjë manipulim, cdo gjë ka shkuar në mënyrën e duhur”, thotë një prej tyre.

“Këto zgjedhje kanë qenë të ndershme, nuk ka pasur asgjë negative. Akuzat janë vetëm manipulime nga partitë”, shprehet një tjetër.

Ndryshe nga këta qytetarë, ndërkombëtarët e vlerësuan me notë negative votimin në Skenderaj. Ambasadori Christopher Dell, që ka qenë në 17 vendvotime, ka parë edhe vetë parregullsitë për një kohë të shkurtër.

Si kjo ambasadë, ashtu dhe Zyra Ndërkombëtare Civile në Prishtinë nxisin reagimin dhe ndëshkimin për këto raste. Për Feith, pavarësisht se procesi ishte në përgjithësi i mirë, parregullsitë ishin një zhgënjim.

Pas kësaj panorame, cfarëdo të ndodhë nga qyteti bastion i PDK-së, Skënderaj, me 49 mijë votuesit e saj, gjithësesi do të hyjë në historinë e demokracisë së Kosovës në një apo mënyrë tjetër.

Top Channel