Flamurtari mposht Besën, mban kreun

13/12/2010 22:35

Flamurtari arriti të fitojë edhe pse minimalisht, 1-0 me Besën, në javën e 14-të të Superligës.

Një lojë e fortë mes  dy skuadrave u zhvillua në Vlorë, ku vendasit, nën presionin e ruajtjes së kreut, vuajten jo pak karshi kavajasve.

Flamurtari u duk disi me fat dhe shenoi golin që në minutën e katërt të takimit me Devollin, duke kaluar në një farë mënyre goditjen psikologjike që i kishte shkaktuar humbja me Tiranën dhe eliminimi në kupë nga Bylisi.

Besa e drejtuar nga Gerti Haxhiu, luajti mirë e tentoi gjithçka për të mos dalë duarbosh, por goli i Devollit mbeti përcaktues.

Me këtë fitore, Flamurtari merr edhe 3 pikë të tjera të çmuara, duke ruajtur diferencën me Skënderbeun, që ka 3 pikë më pak se vlonjatët.

Javët në vazhdim të kampionatit do të tregojnë më mirë se cili do të jetë fati i kreut të Superligës, i cili po synohet më shumë nga Flamurtari e Skënderbeu, ndërkohë që Dinamo kampione e shikon veten të përfshirë nga kriza.

Top Channel