Të ndryshme në ngjyra, përmasa e forma që vizatohen në qiell, fishekzjarret janë gazëllimi i shumë festave.

Më së shumti ato konceptohen si arsenali i domosdoshëm për natën e ndërrimit tw viteve. Shpërthimi masiv i fishekzjarreve, është bërë një traditë e pashmangshme edhe në Shqipëri. Përveç autoriteteve, eksplozivët dekorativë, shpërthehen vullnetarisht nga mijëra njerëz.

“Me afrimin e festave, fishëkzjarret zënë sot një përdorim të gjerë”, shprehet një prej mjekëve në kryeqytet.

Dhe në fakt, fishekzjarret janë argëtimi i preferuar i çdo moshe.

“Duke filluar nga fëmijët që preferojnë kapsollat, fishekzjarret etj”, tregon Irma, një shitëse fishekzjarresh.

E nëse autoritetet duhet të kenë kujdes që lodrat me përbërës bazë barutin, të mos bien në dorën e çdokujt, por madje të ketë një tregëtim të mirëkontrolluar të tyre, sivjet do të ndodhë e kundërta tek ne. Shqipëria ka ulur tarifat doganore për hyrjen e këtyre lëndëve plasëse. Në dyqanet e autorizuar për shitjen e tyre, është parajsa eksplozive e çdo amatori të kaosit.

“Kemi me fuqi të ndryshme shpërthimi. Por të gjitha janë të rrezikshme për fëmijët dhe për t’u mbajtur në dorë nga të gjithë”, thotë Irma.

Fishekzjarret, por edhe pajisje të tjera shpërthyese, me efekt të vetëm zbavitjen janë lodrat me të dëshiruara të fëmijëve këto ditë. E ndërsa jemi përfshirë nga një atmosferë e bukur që të ndjellw së largu aromën e festave, duhet të përballemi edhe me lojërat jo fort zbavitëse të mistrecëve të lagjes.

Por fishekzjarret dhe arsenali plasës prodhuar për zbavitje, nuk janë vetëm gjurmët e lumturisë në orët e festave.

“Një fishekzjarr mund të shkaktojë djegie në trup dhe dëmtime serioze në sy”, thotë mjeku.

Nuk është më risi të thuhet se këto pasoja vijnë nga keqpërdorimi i tyre. Gjithësesi, pikat e shitjes ofrojnë edhe një manual dhe këshilla për shpërthimin e tyre. Manual që sigurisht, nuk lexohet nga askush.

“Asnjë lloj tubi nuk mbahet në dorë”, shpjegon Irma.

“Edhe fishekzjarret raketë janë të rrezikshme. Kasetat duhet të vendosen 20 m larg njerëzve”, shton ajo.

Të rrezikshme apo jo për ta, asnjë fëmijë nuk e koncepton dot festën e tij të fundvitit pa shpërthimin e barutit që për të vetmen herë të ligjëruar, do të plasë nga duart e tyre.

Top Channel