Loriku i lumtur te Gallatasarai

10/12/2010 12:45

Lorik Cana është i lumtur te Gallatasarai dhe as që nuk e mendon largimin nga kjo skuadër. Me afrimin e merkatos së janarit, diçka e tillë konfirmohet nga menaxheri turk i mesfushorit kuqezi, Ceilan Çaliskan.

Pas momenteve të vështira që 27-vjeçari përjetoi te skuadra e mirënjohur e Superligës, kur në krye të stolit qëndronte tekniku holandez, Frenk Rajkard, tashmë duket se gjithçka po shkon më së miri për shqiptarin. Prej emërimit të trajnerit rumun George Haxhi, statusi i Canës brenda skuadrës ka ndryshuar.

Lojtari i Kombëtares shqiptare cilësohet si titullar i pazëvendësueshëm, ndërsa përveç lojës së fortë në mesfushë, ai ka marrë edhe vlerësime maksimale për shpirtin e sakrificës që ka treguar. Përfaqësuesi i Canës, Çaliskan, ka folur për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në klubin nga Stambolli. “Loriku është shumë i lumtur te Gallatasarai”, konfirmoi menaxheri. “Marrëdhëniet e tij me trajnerin Haxhi janë mjaft korrekte dhe nuk ekziston asnjë problem. Spekulimet për të ardhmen e tij larg Turqisë? Nuk ka asgjë të vërtetë në ato që janë përfolur rreth një largimi të mundshëm të Canës. Këto zëra janë shfaqur kur në krye të stolit ishte trajneri Rajkard, por as atëherë e as tani, ato nuk mund të merren si të mirëqena. Pra, ai është shumë i lumtur që ndodhet këtu (te Gallatasarai) dhe që luan me një klub me emër të madh”.

“Shkatërruesi” kuqezi është transferuar te Gallatasarai gjatë verës që kaloi, kur në mënyrë surprizë vendosi të largohej nga Sandërlendi në Premier League-n angleze. Gjithsesi, atij i kanë mjaftuar vetëm pak muaj që t’i çudisë të gjithë me dëshirën për të qenë gjithmonë në shërbim të skuadrës.

Rasti më i fundit ishte rikuperimi rekord në ligamentet e kaviljes: edhe pse stafi mjekësor parashikonte të paktën tri javë pushim, Cana u paraqit në stërvitje vetëm pas dhjetë ditëve, ndërsa gjatë fundjavës që kaloi luajti 80 minuta në fitoren 0-3 në fushën e Kasimpasas.

Shqiptari pritet që nesër të jetë normalisht në fushën e lojës, për ndeshjen ku Gallatasarai do të presë në shtëpi Gençlerbirliginë. Kjo sfidë duhej të ishte një “derbi” shqiptarësh, por te Gençlerbirligia mungon Debatik Curri, që vazhdon rehabilitimin pas operacionit në gju, ndërsa sulmuesi shkodran Bekim Bala nuk aktivizohet.

Top Channel