Elbasani kërcënon bojkot edhe në kampionat

09/12/2010 13:25

Ajo që ndodhi dje në Shkodër, ku Elbasani u paraqit vetëm me futbollistë të ekipit të të rinjve ndaj Vllazninë në ndeshjen e kthimit për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, pasi futbollistët e ekipit të parë bojkotuan, për shkak të mosshlyerjes së rrogave, u duk se do të ishte thjesht një kërcënim.

Por dje është mësuar se lojtarët kanë ende për të thënë. Tashmë rrezikohet që në rast të mungesës së një zgjidhjeje të shpejtë deri të premten, ata të bojkotojnë edhe ndeshjen e radhës në kampionat, ku Elbasani do të luajë të shtunën në Krujë ndaj Kastriotit.

Pikërisht dita e djeshme ishte edhe skadimi i premtimit të bërë nga presidenti Arben Laze për shlyerjen e rrogave të prapambetura të shtatorit, tetorit dhe nëntorit, po një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Para sfidës në transfertë ndaj Vllaznisë, futbollistët kanë pasur një takim me drejtuesin e lartë të klubit.

Premtimi nuk u mbajt dhe ata u detyruan që të mos paraqiten në ndeshjen e Kupës me Vllazninë, prandaj skuadra u paraqit në Shkodër me lojtarë të ekipit të të rinjve dhe të para të rinjve. Por lëvizja e tyre radikale në kërkim të plotësimit të kërkesave nuk merr fund këtu. Dje është konfirmuar se bojkoti i tyre do të vazhdojë edhe në kampionat. Të gjithë futbollistët e ekipit të parë kërcënojnë se do të bojkotojnë edhe ndeshjet e radhës ndaj Kastriotit apo edhe të tjerat në vazhdim, deri në momentin që do të marrin rrogat që kërkojnë.

Ndryshe nga sa kishte ndodhur herët e tjera, tashmë duket se kësaj radhe situata është bërë seriozisht shqetësuese. Në takimin e djeshëm me presidentin Laze, ka premtuar se çështja do të zgjidhej deri të premten. Madje, deri atëherë pritet të jetë bërë edhe zyrtarizimi i një prej sponsorëve të rinj të Elbasanit. Prandaj, drejtuesi i lartë i klubit verdheblu u ka kërkuar sërish futbollistëve të skuadrës, që në ndeshjen e kampionatit të jetë në fushë. Por ky premtim i dytë nuk i ka bindur titullarët dhe rezervat verdheblu.

Lojtarët kanë këmbëngulur që më parë të bëhet shlyerja e lekëve të premten dhe vetëm pas kësaj do të bindeshin të zbresin në fushë. Pavarësisht problemeve që kanë pasur, do të jetë hera e parë që futbollistët do të bojkotojnë ndeshjen e kampionatit.

Por fakti se ata nuk paraqiten në klub, nuk do të thotë se nuk po stërviten. Madje një gjë të tillë po e bëjnë rregullisht, sikur gjithçka të ishte në rregull, por jashtë dyerve të klubit. Ata kanë zgjedhur një kompleks sportiv privat në qytetin e Elbasanit dhe aplikojnë metodat e zakonshme të stërvitjes, për të qenë të gatshëm në rast se të premten do të marrin paratë. Ndërkohë që Rsitevski dhe Idrizi janë ende në Maqedoni, nuk janë kthyer dhe nuk kanë shans për t’u rikthyer. Kanë lajmëruar klubin se nuk do të paraqiten në skuadër deri në momentin që nuk do të paguhen.

Top Channel