Altin Lala rikonfirmohet si “shef” i Hanoverit

09/12/2010 13:10

Altin Lala rikthehet të bëjë “shefin” te Hanoveri dhe këtë e ka bërë nëpërmjet një debati të ashpër gjatë stërvitjes me shokun e skuadrës Emanuel Pogatec.

Ky i fundit, mbrojtës i ekipit me bluza të bardha në ndeshjen e kontrollit, u irritua me ekipin e tij, pasi kundërshtarët me bluza të kuqe kishin marrë sërish kontrollin e topit. Duke shfryrë nga pakënaqësia, ai i bërtiti njërit prej mesfushorëve të tij. “Katër herë nuk thashë asgjë, tani e tepruat”, u ankua austriaku, “nuk humbet topi aq kollaj, ta marrë djalli”. Kjo e preku Lalën, i cili iu kundërpërgjigj me ton imponues.

“Hej, mos e bëj më këtë, iu kthye shqiptari, “qepe gojën”, dhe iu afrua Pogatecit. Nëse nuk do kishte ndërhyrë trajneri Mirko Slomka për t’i ndarë, dy lojtarët mund të ishin konfrontuar edhe me duar. Të dy nuk i kursyen fjalët thumbuese gjithsesi dhe më pas vazhduan lojën. Pak më vonë Pogatec bëri elozhe për Lalën dhe pohoi se ai vetë nuk duhet të kishte bërtitur ashtu.

Më pas sulmuesi Didier Ya Konan e quajti Lalën “Padron” dhe theksoi se ai është një “shef” (lider) i fshehtë i kësaj skuadre. Asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pse ai ka munguar për 6 muaj në ekip, për shkak të një dëmtimi në gju. Prej vetëm dy ndeshjes i është bashkuar grupit. Fjala e shqiptarit ka peshë te Hanoveri. Prandaj, ai nuk lejon askënd të bërtasë, edhe kur ka të drejtë. Askush nuk mund t’i kundërvihet atij, pasi njihet si njeri që nuk ta kursen kundërpërgjigjen. Madje inati nuk e kishte lëshuar as pas përfundimit të stërvitjes. I pyetur në lidhje me incidentin, ku ai vetë i zemëruar reagoi ashpër dhe u ndie i ofenduar, Lala nuk pranoi të komentonte. Pogatec në atë moment kaloi pranë tij po nuk tha asgjë.

Top Channel