Kupa e Shqipërisë, eleminohet Flamurtari

08/12/2010 20:30

Kryesuesi i Superligës, Flamurtari është eleminuar nga Kupa e Shqipërisë, pikërisht në turin e dytë.

Ka qenë skuadra e Bylisit ajo që ka mundur 0-1 vlonjatët në shtëpi, duke i lënë ata jashtë kompeticionit të dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar.

Ndeshjet e kthimit në turin e dytë kanë përcaktuar edhe katër çiftet e turit të tretë.

Laçi ka shkatërruar 4-0 Gramozin, me po të njëjtin rezultat ka fituar edhe Vllaznia ndaj Elbasanit, ekip ky që aktivizoi lojtarë të rinj, për shkak të bojkotit të futbollistëve kryesorë për mosmarrjen e pagave.

Kampionia në fuqi Dinamo, ka fituar 2-0 ndaj Kamzës falë golave të Bakajt dhe të Sefës.

Kundërshtari i bluve në turin tjetër do të jetë Shkumbini që e kishin siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë me Kastriotin.

Ka barazuar 2-2 në ndeshjen e dytë Tirana me Adën, por falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë, bardheblutë kanë kaluar në turin e tretë, ku do të ndeshen me Bylisin.

Ka fituar Skënderbeu 2-0 ndaj Teutës dhe Besa ka mundur 1-0 Lushnjën.

Top Channel