Sula: Dinamo nuk lëviz

07/12/2010 02:00

Në lidhje telefonike me Proçesin Sportiv në Top Channel, presidenti i skuadrës së futbollit Dinamo, Besnik Sula komentoi kalimin e këtij klubi nga Ministria e Brendshme në atë të Kulturës.

Pavarësisht këtij kalimi dhe në të kundërtën e asaj që flitet ditët e fundit në shtypin sportiv shqiptar, zoti Sula garantoi tifozët se skuadra e Dinamos nuk do të lëvizë nga kompleksi që mban të njëjtin emër. Ai tha se nuk ka patur asnjë takim zyrtar me përfaqësues të ministrisë, përveç disa telefonatave.

“Nuk ka patur asnjë takim zyrtar, përveç  disa lidhjeve telefonike. Klubi Dinamo varet nga Ministria e Kulturës, gjë që na lehtëson, ndjehemi më komodë. Besoj se duhet të ketë keqkuptime. Ka ardhur një letër që është shumë e paqartë. Letra thotë që duhet të dorëzoni ambientet, ndoshta duhet të jetë thjesht për inventar apo të largohemi nga aty, nuk e di Nga kontaktet që kemi patur në telefon nuk mendoj se klubi Dinamo do largohet nga aty. Garantoj që ekipi i Dinamos do të jetë aty, sido që të jetë, nuk do lejojmë asnjë përveç futbollit që të vijë në ato zyra. Në zonën e liqenit ka një studim ku kompleksi Dinamo nuk preket dhe ku përveç 2 fushave ekzistuese është planifikuar edhe një tjetër”, tha Sula.

Më tej numri një dinamovit, duke përfituar edhe nga prezenca në studio e Arsen Hoxhës, dizenjatorit të arbitrave, foli edhe për gjykimin në këtë sezon të Supërligës, që sipas tij ka qenë më i dobët se sa sezonin e kaluar.

“Arbitrimi këtë vit ka patur rënie. Nuk është faji i Arsenit sepse arbitrat janë po këta”, shtoi Sula.

Sula kritikoi edhe punën e komisionit “Kokëdhima”, i ngritur këtë sezon e ku bëjnë pjesë të gjithë presidentët e skuadrave pjesëmarrëse në Superligë.

“Komisioni nuk ka dhënë atë që pritej. Ishte për të shtruar problemet që kishin klubet, për të rritur të ardhurat financiare, por ka krijuar të kundërtën. Gjatë ditëve në vazhdim do të mblidhemi për të diskutuar ose përmirësimin e punës ose shkrirjen e tij”, përfundoi Sula.

Top Channel