Futbolli rinis nga Kupa e Shqipërisë

07/12/2010 12:00

Pas ndërprerjes së fundjavës që kaloi, për shkak të përmbytjeve dhe gjendjes së rënduar në vend prej reshjeve, Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi rifillimin e aktivitetit.

Futbolli do të rinisë që prej kësaj mesjave, ku skuadrat do të zbresin në fushën e lojës për ndeshjet e kthimit të turit të 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë. Tetë çiftet, ku katër luajnë në Grupin A dhe katër në Grupin B, do të ndeshen të mërkurën, për të përcaktuar ekipet që do të kualifikohen në çerekfinalet e trofeut të dytë për nga rëndësia në vend.

Pavarësisht se gjendja e mjaft fushave mbetet e rënduar, kryesisht në qyteteve të Shqipërisë së mesme dhe asaj veriore, institucioni që drejton futbollin ka publikuar kalendarin e Kupës, ndërkohë është konfirmuar se duke filluar prej kësaj fundjave e në vazhdim, aktiviteti do të vazhdojë pa ndërprerje. Kjo është bërë e ditur nga sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.

“Duke nisur prej kësaj mesjave me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, futbolli shqiptar do t’i rikthehet ritmit normal dhe ndeshjet do të zhvillohen ashtu si janë parashikuar në kalendar”, – deklaroi numri 2 i Federatës. “Nuk do të ketë më ndërprerje të aktivitetit futbollistik. Vendimi ynë për të mos zhvilluar asnjë ndeshje të kampionatit gjatë fundjavës së kaluar, ishte një mënyrë solidarizimi me njerëzit e të gjitha atyre zonave që janë përmbytur”. Më tej Prodani nënvijëzoi se nuk përjashtohet shtyrja e ndeshjeve të veçanta, për shkak të kushteve atmosferike dhe për rastet ku terrenet sportive nuk lejojnë zhvillimin normal të një ndeshjeje futbolli.

“Nëse situata do të vazhdojë të jetë problematike për zona të veçanta, atëherë mund të shtyjmë zhvillimin e ndeshjeve të veçanta, në mënyrë që të krijohet mundësia që ato të luhen kur kushtet të jenë më të përshtatshme. Megjithatë, mund të themi se nuk do të ketë më ndërprerje të të gjithë aktivitetit, qoftë të kampionatit apo edhe të Kupës”, – shtoi zyrtari i FSHF-së. Në këtë mënyrë i jepet “drita jeshile” zbritjes së skuadrave në fushë për ndeshjet e Kupës. Gjithsesi, zhvillimi i disa ndeshjeve mbetet në pikëpyetje, siç janë sfida Vllaznia-Elbasani në Shkodër, Laçi-Gramozi në Laç, por edhe Teuta-Skënderbeu në Durrës. Të treja këto qytete janë përfshirë nga përmbytjet, ndërsa sipas rregullores, skuadrat, gjyqtarët dhe të deleguarit do të paraqiten normalisht në stadium. Vetëm pasi të kontrollohet gjendja e fushave, do të vendoset për të luajtur apo jo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA