
Rreth një muaj më parë Këshilli i Ministrave nxorri një vendim në pamje të parë pozitiv në lidhje me klubin e Dinamos, duke i kaluar përgjegjësitë administrative nga Ministria e Brendshme te Ministria e Turizmit, Kulurës Rinisë dhe Sporteve.
Një kalim i tillë duket pozitiv, për vetë faktin se prej vitesh Ministria e Brendshme, duke mos patuar aspak lidhje me këtë klub, nuk tregonte asnjë lloj interesimi dhe u mendua se kalimi në varësinë e Ministrisë së Sporteve diçka do të ndryshonte për mirë.
Nuk ka kaluar as një muaj nga ky vendim dhe klubit Dinamo nga Ministria e Sporteve i shkojnë disa vendime të reja të marra nga MTKRS dhe një urdhër zbatimi.
Në bazë të këtyre vendimeve ambientet e klubit Dinamo i kalojnë në vartësi Agjencisë së Sporteve e cila ka kërkuar kthimin e këtij hoteli e këtyre zyrave, në zyra për federatat e sporteve që më parë ndodheshin pas stadiumit kombëtarë “Qemal Stafa”, stadium i cili do të prishet.
Këto vendime edhe pse të nisura më datë 1 dhjetorë, kanë mbërritur në zyrat e klubit Dinamo më 3 dhjetorë dhe sipas këtij urdhri ambientet duhet të liroheshin nga klubi Dinamo pikërisht më datë 3.
Ajo çka bën habi është kjo lëvizje në administrimin e ambienteve të klubit Dinamo e mbi të gjitha nxitimi për të mbyllur gjithçka shumë shpejt.
Të kontaktuar nga TCH drejtuesit e klubit blu të kyeqytetit përveçse janë të paqartë nga ky urdhër deklarojnë se nuk kanë ndërmend të lirojnë asnjë ambient për asnjë federatë, përveç ekipeve të futbollit zinxhirë që ndodhen aktualisht në ato ambiente.
Në rast këmbëngulje, kampionët në fuqi do të bëjnë ç’është e mundur për të mos u zbatuar një urdhër i tillë, duke kërcënuar deri në bojkotimin e kampionatit.
Klubi Dinamo është i vetmi klub futbolli në kryeqytet, pasi pjesa e shumsportëshit është shkrirë prej kohësh, sa i përket ambientëve është gjithashtu skuadra e vetme e kompletuar me gjithçka i duhet një skuadre, fusha zyra apo hotele, pasi klubi tjetër që kishte ambientet të tilla, klubi Partizani, tashmë i ka mbetur vetëm emri, pasi i është kthyer pronarëve e i ka ndryshuar destinacioni duke u ndërtuar pallate.
Top Channel