Fushaj: Mocion për shkarkimin në Ekzekutivin e FSHF-së

03/12/2010 12:00

Pas ngjarjeve skandaloze të së mërkurës, në mbledhjen e Komisionit të Kategorisë Superiore, presidentët e klubeve “rebelë” vazhdojnë të ngulmojnë për largimin e kryetarit, Koço Kokëdhima.

Qëndrimi i tyre është theksuar nga drejtuesi më i lartë i Vllaznisë, Valter Fushaj, që nëpërmjet një deklarate për shtyp, foli për atë që ndodhi në takimin e 12 presidentëve të klubeve elitare në ambientet e FSHF-së.

Ai konfirmoi se shkodranët, ashtu sikurse edhe Bylis, Besa, Laçi e Kastrioti nuk do të tërhiqen nga pretendimi i tyre për të shkarkuar kreun e komisionit, ndërsa nënvijëzoi që shumë shpejt të grumbullojnë firmat e nevojshme, për t’i paraqitur një kërkesë zyrtare Komitetit Ekzekutiv në federatë.

“Në emër të klubit të Vllaznisë, dëshiroj të bëj publik qëndrimin tim në lidhje me mbledhjen e shumëpërfolur të Komisionit të Ligës Superiore të datës 1 dhjetor 2010. Siç ishte paralajmëruar, në këtë mbledhje do të kërkonim edhe votimin për shkarkimin e kryetarit, z. Koço Kokëdhima, por ky synim nuk u realizua. Së pari, ky njeri tentoi të ngatërrojë klubet me njëri-tjetrin, por kur e pa se nuk ia arriti, atëherë gjeti mënyrë tjetër për të prishur mbledhjen në mënyrë që të mos kalohej në votëbesim”, shprehej Fushaj. “Për afro katër orë ka pasur shumë debate dhe në fund z. Kokëdhima ia arriti qëllimit të tij. Kjo është e padrejtë sepse shumë klube, nëpërmjet presidentëve të tyre, kanë dashur shkarkimin e këtij njeriu për mospërmbushje të misionit të tij. Por, ju bëjmë të ditur publikisht se klubi Vllaznia, por edhe shumë klube të tjera, nuk do të tërhiqen nga kjo iniciativë. Shumë shpejt do kërkojmë një mocion për shkarkimin e tij dhe do t’ia paraqesim Komitetit Ekzekutiv për ta bërë realitet. Besoj se kjo gjë do të realizohet”.

Nëse kryetari i Komisionit të Superiores nuk do të largohet, presidenti i kuqebluve kërcënoi se “zgjidhja është e qartë: Vllaznia do kërkojë largimin e saj nga Komisioni i Ligës Superiore. Këtë të drejtë ia jep edhe rregullorja përkatëse dhe pikërisht neni 159, pika 3. Bashkë me Vllazninë këtë rrugë do ndjekin edhe shumë ekipe të tjera dhe siç dihet, nëse shtatë klube tërhiqen, atëherë Komisioni pushon së ekzistuari. Unë dhe klubi që përfaqësoj, nuk dëshiroj aspak shkrirjen e këtij organi. Ne duam, largimin nga posti i kryetarit të z. Kokëdhima. Nuk kam asgjë personale kundrejt këtij personi, ndonëse që në fillim kam qenë kundër emërimit të tij. Vllaznia dhe shumë klube të tjera duan që ai të largohet nga ky post, sepse nuk ka përmbushur asnjë prej detyrave të tij. Më absurdja është se shumë prej propozimeve të klubeve, nuk kanë shkuar te Komiteti Ekzekutiv ashtu siç i kemi paraqitur ne presidentët, por janë ndryshuar sipas dëshirës së tij”.

Top Channel