Liga e Europës, pikëpyetje për Seviljen e Dortmundin

02/12/2010 23:35

Sevilja dhe Borusia Dortmund ende e kanë në pikëpyetje kualifikimin për në fazën e dytë të Europa Ligë.

Skuadra spanjolle është mundur në ndeshjen e pestë në Grupin J nga Paris SG me rezultatin 4-2 duke i vështirësuar gjërat për të. Nga ana e tij, Borusia Dortmund mundi Karpati Lviv me rezultatin 3-0 dhe tashmë është në kuotën e 8 pikëve 1 më pak se andaluzianët.

Gjithçka mbetet e hapur edhe në Grupin K, ku Liverpul barazoi me Steauan e Bukureshtit 1-1. ‘The Reds’ nuk mundën dot të ruajnë avantazhin ndaj rumunëve, megjithatë janë ende në vendin e parë në grup. Ndërkohë në garë për t’u kualifikuar mbetet edhe Napoli që në Holandë mori një barazim spektakolar me Utrehtin 3-3.

Në grupin D, Vilareal, PAOK dhe Dinamo Zagreb do të vazhdojnë betejën e tyre për kualifikimin për më tej edhe në javën e fundit të fazës së grupeve. Në ndeshjet e radhës, Vilareal mundi skuadrën kroate të Zagrebit 3-0 me gola të Rosit dhe Ruben për të marrë edhe kryesimin e grupit.

Në Grupin E, gjithçka është e zgjidhur tashmë. Dinamo e Kievit dhe Bate Borisov janë të kualifikuarat për në 1/16 e finaleve. Skuadra ukrainase fitoi thellë ndaj asaj bjelloruse 4-1 për t’u ngjitur në kuotën e 10 pikëve, po aq sa edhe Bate që gjithsesi ruan vendin e parë. Përsa i përket sfidës tjetër mes Sherif Tiraspol dhe Alkmar nuk pati asnjë vlerë dhe të dyja skuadrat u ndanë në barazimin 1-1.

CSKA e Moskës fitoi një tjetër sfidë të Europa Ligë dhe kualifikohet si e para e grupit. Skuadra ruse në ndeshjen e javës së pestë të Grupit F shkatërroi Lozanën me rezultatin e thellë 5-1 duke u ngjitur në kuotën e 15 pikëvë. E kualifikuara tjetër e këtij grupi është Sparta e Pragës e cila barazoi me Palermon me rezultatin 2-2. Dy herë kaluan në avantazh siçilianët, por Sparta e Pragës arriti të barazojë gjithçka në këtë ndeshje.

Top Channel