Teksti i diskutueshëm

01/12/2010 19:05

Rreth 600 mijë fëmijë shqiptarë shkojnë çdo ditë në shkolla parauniversitare. Mjeti kryesor i punës për fëmijë dhe mësues është sigurisht libri.

Po sikur një libër në vend që të sqarojë mendjet e vogëlushëve, t’i turbullojë ato? Ky është libri gjuha shqipe për klasën e tretë, një libër që gjendet në pothuajse të gjitha shkollat e vendit.

“Ka disa vite mund të ketë 4 ose 5 vite që qarkullon”, shprehet një prej mësueseve.

Që nga 2005 çdo fëmijë që mëson gjuhën shqipe nga ky libër mëson gjithashtu dhe për historinë e “Jehonës së vogël”.

Mirëpo me pak sy kritik dhe me një vështrim të vëmendshëm zbulon që ky tekst është i mbushur me dykuptimësi jo aq të shëndosha për një fëmijë të vogël dhe disa nëna të kujdesshme e kanë ngritur këtë shqetësim prej disa kohësh.

“E kam lexuar dhe më është dukur pak ashtu. Ndodh shpesh që në tekste të ketë probleme”, thotë prej nënave.

Tregimi për “Jehonën e vogël” gjendet që në kapitujt e parë të librit “Gjuha shqipe 3”. Ky tregim flet për dashurinë e madhe dhe jo fort të zakonshme të një zotërie që ishte punonjës britanik humanitar, ndaj një jetimeje shkodrane të cilën e shëtiste në liqene e restorante, madje siç saktësohet në libër në plot 19 takime të ndryshme.

Mësuesit kanë kohë që e japin këtë tekst që është miratuar nga Ministria e Arsimit, por po kaq kohë kanë që e vënë re këtë artikull të çuditshëm.

“Shqetësimi ynë që ne ngritëm na bëri përshtypje dhe u ndalëm”, shprehet një prej mësueseve.

Një britanik, një vajzë shumë e vogël, përkujdesje, përkëdhelje, takime në restorante dhe notime të përbashkëta në liqenin e Shkodrës, ju kujtojnë ndokënd?

“Ky tekst më duket pak librat e David Brown”, thekson një prej mësuesve.

Mirëpo udhëtimet me një të panjohur nuk janë saktësisht ajo çka prindërit u sugjerojnë fëmijëve.

Por si e gjykojnë mësueset e gjuhës shqipe këtë tekst?

“Përveç gjuhës ka edhe probleme të tjera që sjellin një skenë imagjinare dhe jo reale”, thotë një prej mësueseve.

Mësuesja e fillores tek shkolla “Lidhja e Prizrenit” ndër shumë paradokse apo keqkuptime që sjell ky libër sjell edhe detaje të tjera se çfarë mund të keqkuptojnë fëmijët.

“Nuk perceptohet që një fëmijë kaq i vogël të japë kaq përgjigje që arriti të marrë britaniku”, thotë mësuesja.

Qëndron fakti që fëmijëve u jepet për të mësuar, ndërsa mësuesit janë të detyruar ta konsumojnë një tekst shumë të dyshimtë, që mbase ka për qëllim të përcjellë të tjera vlera.

“Mesazhet që ne përpiqemi të përcjellim janë pozitive dhe jo negative”, shprehet mësuesja.

Sikur të mos mjaftonin gjithë problemet që kanë tekstet shqiptare, tashmë ndërhyn edhe hija e supozuar e David Brown-it, që të paktën sipas mësuesve edhe nëse ky rrezik ndikimi do të ishte minimal, mirë do të që të ishte zero.

Top Channel