HIV/AIDS, një bebe humbet jetën për ekzaminim të vonë

01/12/2010 08:00

Sot në ditën ndërkombëtare kundër HIV/AIDS pacientët e prekur në Shqipëri veç diskriminimit e peshës së problematikës së sëmundjes, kanë edhe një hall tjetër.

Atë të mungesës së ilaçeve të nevojshme për efektet anësore të barnave që u duhet të marrin rregullisht. Por jo vetëm kaq, edhe pse jemi në vitin 2010 dhe njihen metodat e parandalimit, pak kohë më parë një foshnje ka humbur jetën për shkak të mungesës së diagnostikimit.

Sipas të dhënave të referuara dje në komisionin parlamentar të çështjeve sociale dhe shëndetësisë, bebja nuk dihej se ishte prekur nga virusi, ndërkohë që transmetimi ka qenë nga nëna te fëmija. Zbulimi i sëmundjes ka qenë i vonë, aq sa ka shkaktuar edhe humbjen e jetës së foshnjës. Ka qenë përfaqësuesja e shoqatës shqiptare PHWHA, e cila u ka futur këmbët në një këpucë me referimin e saj të gjithë anëtarëve të komisionit.
 
Në ligjërimin e saj të qetë, por domethënës, përfaqësuesja ka renditur të gjitha problematikat e kësaj kategorie, ka theksuar se vitin e ardhshëm duhen marrë masa për sigurimin e medikamenteve që aktualisht sigurohen nga “Global Found”. Ndërsa është lënë që sot përsëri komisioni të mblidhet për të marrë vendimet më të rëndësishme për këtë kategori lidhur me buxhetin e me nevojat e pacientëve me HIV/AIDS për vitin 2011.
 
Një ditë para ditës ndërkombëtare kundër sidës, shoqata e personave që jetojnë me HIV deklaroi se në vendin tonë vazhdon të ketë mungesa të theksuara sa u takon medikamenteve të miratuara për trajtimin retroviral. Sipas shoqatës, fondet që duhet të shkojnë për këto medikamente keqmenaxhohen nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.

“Pa mbështetje, kujdes dhe trajtim, personat që jetojnë me HIV nuk janë në gjendje për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e tyre as për t’u kujdesur për partnerët e tyre, fëmijët dhe familjen. Kuptoni se rreth çdo virusi jeton një qenie njerëzore që nuk duhet konsideruar thjesht statistika dhe shifra për t’u raportuar në çdo 1 dhjetor. HIV/AIDS veç një problemi shëndetësor para dhe mbi të gjitha është një problem social, pasi shoqërohet me situata shpesh dramatike për shkak të frikës, largimit dhe izolimit që familja dhe pjesa tjetër e komunitetit u ofron këtyre personave’, ka sqaruar përfaqësuesja e shoqatës për mbrojtjen nga HIV/AIDS.
 
Ndër kërkesat e kësaj shoqate renditen: Zbatim i ligjit aktual duke e konsideruar atë një mekanizëm mbrojtës, ndihme, kujdesi dhe mbështetje për përmirësimin e jetesës së personave që jetojnë me HIV/AIDS, vazhdimësinë e trajtimit me medikamentet ART dhe plotësimin e skemave të mjekimit. Kërkohet nga shoqata, hartimi i një plani financiar për mbulimin dhe rimbursimin e medikamenteve për infeksionet oportuniste, si dhe një mekanizëm monitorimi për shpërndarjen e tyre.

Kërkohet gjithashtu rritje e cilësisë së shërbimit shëndetësor nga ofruesit e tyre dhe reduktim të stigmës dhe diskriminimit veçanërisht në institucionet shtetërore dhe ato publike. Rreth 426 persona në Shqipëri rezultojnë të infektuar me virusin HIV/AIDS. Këto janë shifrat më të fundit zyrtare të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, nga drejtori Enver Roshi, sipas të cilit vërehet një rritje e ndjeshme e femrave të infektuara.

Këto të fundit përbëjnë 34% të totalit të personave të prekur nga virusi në vendin tonë. Në emër të deputetëve të komisionit, kryetari Et’hem Ruka premtoi më shumë mbështetje për personat me HIV/AIDS, si dhe një plan konkret përmes bashkëpunimit të ministrive të Shëndetësisë, Çështjeve Sociale dhe Arsimit.

Top Channel