
Me kërkesën e Suedisë, ku akuzohet për përdhunim, Interpoli vendosi emrin e Julian Assange në listën e personave më të kërkuar.
Dy javë më parë gjykatat suedeze lëshuan një mandat-arresti ndërkombëtar për themeluesin e Wikileaks, Assange nën akuzën e përdhunimit, ngacmimit seksual dhe përdorim të dhunës, ngjarje këto që dyshohet se 39 vjeçari australian i ka kryer në muajin gusht të këtij viti gjatë një udhëtimi në Suedi.
Suedia i kërkoi Interpolit ta vendosë atë në listën e personave shumë të kërkuar pasi një gjykatës urdhëroi vënien e tij në pranga.
Sipas Interpolit, lista e shumë të këruarve nuk është një mandat-arresti ndërkombëtar, por një kërkesë ndaj 188 vendeve që kanë nënshkruar për këtë listë për të kërkuar, prangosur e më pas për të ekstraduar personin drejt vendit që ka lëshuar kërkesën.
Sipas autoriteteve suedeze, kundrejt Assange rëndojnë 5 akuza që kanë lidhje me dy krime të ndryshme. Ndërkohë avokatët e australianit kanë apeluar vendimin e gjykatës.
Top Channel