Sekretet rrjedhin nga SIPRNET

30/11/2010 09:45

Shumica e mesazheve diplomatike të publikuara nga Wikileaks kanë rrjedhur nga një rrjet i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, të njohur si SIPRNET.

Rrjeti në fjalë përdoret për të shkëmbyer informacione të klasifikuara, bëjnë të ditur mediat amerikane.  

SIPRNET, Secret Internet Protocol Router Network, i ngritur në vitin 1990, u zgjerua pas atentateve të 11 shtatorit, në mënyrë që agjencitë e ndryshme të inteligjencës të kishin akses më të lehtë tek informacionet e klasifikuara.

Ai është projektuar për shkëmbimin e informacioneve mbi nivelin “sekret”, të cilat mund të shkaktojnë dëme serioze ndaj sigurisë kombëtare.

Megjithtë, rrjeti në fjalë nuk rekomandohet për përhapjen e materialeve të nivelit “top-secret”. Vetëm 6% e dokumentave janë klasifikuar si sekrete, 40% si konfidenciale, ndërsa pjesa tjetër janë të paklasifikuara.

SIPRNET u identifikua si burim i mesazheve pasi ato mbanin logon “SIPDIS”, që do të thotë Siprnet Distribution.

SIPRNET përdor të njëjtën teknologji si interneti, por përmban linja të kriptuara që janë të ndara nga sistemet e tjera të komunikimit. Sistemi është i mbrojtur nga një seri masash sigurie:

1) të gjithë përdoruesit duhet të aprovohen dhe të regjistrohen;

2) fjalëkalimet janë komplekse dhe duhen ndërruar cdo 150 ditë;

3) hyrja është e mundur vetëm nga kompjutera të caktuar në vende të sigurta;

4) kumpjuterat nuk duhet të lihen në pritje;

5) sistemi nuk është i lidhur me internetin civil pa pasur një aprovim;

6) aparatet e ruajtura nga mediat bëhen të klasifikuara në nivelin “sekret” nëse lidhen me kompjuterat e SIPRNET;

7) vëzhgim dhe gjurmim për të gjithë përdoruesit, përfshirë identitetin e të gjithë personave që kanë akses në SIPRNET.

Top Channel