Basketboll, nacionalizmat mes një ndeshjeje

27/11/2010 01:00

Përballje me plot emocione dhe jo vetëm tifozëri sportive, ishte ndeshja e basktebollit të  premten në mbrëmje, ndërmjet Sigal Prishtinës, skuadër nga kryeqyteti i Kosovës dhe Bambit, ekipit të serbëve nga Mitrovica Veriore, por që ndeshjet i zhvillon në jugun e qytetit të ndarë.

Ballafaqimi i vlefshëm për xhiron e tetë të Superligës së Kosovës në Basketboll, u përmbyll me fitoren e skuadrës shqiptare, Sigal Prishtina, ndaj asaj serbe Bambi, me rezultat 74 me 63.
 
Në këtë takim që u zhvillua në afërsi të Prishtinës nuk u pa askund flamuri i shtetit të ri. Në prag të 98 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, aty valitej vetëm flamuri kombëtar kuqezi.  
 
Ndeshja u shoqërua edhe me tensione, me ç’rast ndërhyrnë forcat policore. Kjo ndodhi teksa lojtarët e Bambit po largoheshin për në dhomat  e zhveshjes. Por, pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës, situata u qetësua.
 
Deri në fund të ndeshjes u zhvillua një lojë e fortë nga të dyja skuadrat, por me ndarjen e drejtësisë nga ana e gjyqtarëve u pa i pakënaqur trajneri i skuadrës Bambit.
 
Por, pavarësisht kësaj ndeshja u përmbyll me fitoren e prishtinasve me 11 pikë epërsi ndaj mitrovicasve të veriut.

Top Channel