Real, UEFA hap hetimin për kartonët e kuq

25/11/2010 17:25

UEFA vendosi sot të hapë hetimin për kartonat e kuq të marrë “vullnetarisht” nga lojtarët e Real Madrid, Xabi Alonso dhe Sergio Ramos, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampioneve ndaj Ajax.

Në këtë hetim do të përfshihen edhe portierët Casillas dhe Dudek.

Komisioni i Disiplinës dhe Kontrollit do të studiojë raportin e arbitrit të ndeshjes, skocezit Craig Thomson, dhe do të vendosë të martën nëse lojtarët e Real Madrid do të dënohen apo jo.

Xabi Alonso mori kartonin e dytë të verdhë për shkak të vonesës në goditjen e një goditjeje dënimi. E njëjta gjë ndodhi me Sergio Ramos, i cili vonoi në mënyrë të hapur një rivënie fundore në fund të ndeshjes.

Imazhet televizive treguan qartë se urdhri për të bërë këtë gjë iu komunikua të dy lojtarëve nga portieri Casillas, i cili më parë kishte komunikuar me Dudek, portierin rezervë që u përdor nga Mourinho për të dërguar mesazhin në fushën e lojës.

Top Channel