Vendimi për importin e mbetjeve është kundërshtuar nga shoqatat ambientaliste, pasi, sipas tyre, përveç se nuk ndihmon pastrimin në vend, mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.
Tri ditë pas protestës qytetare kundër vendimit për riciklimin e mbetjeve të importuara, Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin ka thërritur në një seancë dëgjimore shoqatat e ricikluesve.
Në Shqipëri prodhohen çdo vit rreth 850 mijë tonë mbetje dhe të paktën 40 për qind e tyre janë të riciklueshme. Rreth 70 për qind të mbetjeve, shoqëritë e riciklimit e kanë importuar nga jashtë që prej vitit 2004 dhe deri më sot. Dje, në seancën dëgjimore, deputetët e Partisë Socialiste dhe përfaqësuesit e industrisë së riciklimit të mbetjeve në Shqipëri kanë diskutuar lidhur me mundësitë për të përdorur mbetjet vendase, për pengesat që kanë kompanitë që kujdesen për riciklim dhe përpunim të mbetjeve.
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka kërkuar arsye përse shoqatat nuk riciklojnë mbetjet shqiptare. Por në vendin tonë ende nuk realizohet ndarja e mbetjeve organike dhe inorganike për t’u përdorur më pas për përpunim.
Kompanitë ricikluese sqaruan dje se kanë bërë gati një draft dhe kërkojnë të marrin me koncesion menaxhimin e mbetjeve urbane. Propozimi është bërë nga Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Ata kanë shpjeguar se në këtë mënyrë mund të bëhet klasifikimi i mbetjeve që në burim dhe më pas të përdoren si lëndë e parë për industrinë ricikluese, gjë që nuk është realizuar deri tani nga pushteti vendor.
Të pyetur nga deputetët e Partisë Socialiste lidhur me mundësitë riciklimit të mbetjeve në vend, shoqatat deklaruan se kërkuan nga qeveria marrjen me koncesion të menaxhimit të mbetjeve inorganike të riciklueshme. Kjo, sipas tyre, do të plotësonte nevojën që ka kjo industri për lëndë të parë, duke shmangur importin e mbetjeve nga jashtë. Por sipas deputetëve të Partisë Socialiste, për të arritur deri këtu, nevojiten më parë politika të qarta për menaxhimin e mbetjeve urbane në vend.
Deputetët e opozitës janë shprehur kundër vendimit të qeverisë për importin e plehrave, duke e akuzuar atë për lidhje mafioze me këtë biznes. “Kjo nuk duhet në ndodhë në Shqipëri, që ne të fusim plehra nga bota, por këtu është një biznes mafioz i bërë nga krerët e qeverisë”, u shpreh deputeti socialist Blendi Klosi.
Socialistët kanë kritikuar qeverinë edhe për mungesën e një strategjie, apo planeve rajonale për menaxhimin e mbetjeve, gjë që sipas tyre është e domosdoshme për mbrojtjen e mjedisit.
Në Shqipëri mbetjet nuk diferencohen sipas përbërjes, duke u bërë pengesë për përdorimin e tyre si lëndë e parë për fabrikat e riciklimit.
Ndërkohë që në pjesën më të madhe të territorit të vendit mbetjet nuk grumbullohen fare por hidhen përgjatë shtretërve të përrenjve e lumenjve, duke prodhuar një situatë mjedisore dramatike. Sot në Shqipëri kemi një industri ricikluese të zhvilluar e të aftë për të ricikluar mbi 6 mijë tonë lëndë të parë, duke përfshirë letrën, aluminin, plastikën.
Top Channel