
Partia Socialiste nuk ka ende një draft të përgatitur për amendimin e Kodit Zgjedhor. Burime pranë saj bënë të ditur se aktualisht përgatitjet lidhur me këtë çështje kanë mbetur vetëm në planin politik, pa kaluar në përpunimin e një dokumenti konkret juridik.
Madje një mendim që mbetet objektiv është edhe mbetja në fuqi e Kodit të tanishëm Zgjedhor, i cili parimisht njihet si i favorshëm nga dy partitë e mëdha.
Gjithsesi një ndërhyrje e mundshme në ligjin zgjedhor pritet të organizojë angazhimin e PS-së në problemet organizative që kanë të bëjnë kryesisht me numërimin dhe administrimin e procesit. Në këtë pikë, me gjasë profili i komisioneve dhe kriteret e emërimit të anëtarëve të tyre, sanksionet dhe kufizimi juridik në abuzimin e detyrës janë shqetësimet bazë prej nga ku mund të mendohet një draftim final juridik.
Në këtë pikëpamje, kalimi drejt një kodi të ri, me përfshirjen e shqetësimeve opozitare, do të sillte detajimin e procedurave, vendosjen e kontrollit reciprok, duke i dhënë atij më shumë pamjen e një rregulloreje, sesa të një ligji organik. Me rëndësi është të nënvizohet vullneti dypalësh për të mos prekur, të paktën për momentin, çështje serioze dhe thelbësore, si sistemi elektoral, pragu apo edhe mënyra e votimit. Sipas burimeve nga selia rozë, bëhet e ditur se probleme të kësaj natyre do të lihen për periudhën paszgjedhore, çka e bën aktuale mundësinë e ndërhyrjeve shtesë pas procesit të 8 majit 2011. Një arsye që i jep më shumë vërtetësi ekzistencës së një mirëkuptimi dypalësh rreth Kodit Zgjedhor, është reagimi i para disa ditëve i kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, një aleat i Kryeministrit Sali Berisha. Mediu, i cili është edhe ministër i Mjedisit, ka kërkuar ndryshimin e pragut elektoral, një kërkesë e cila është kushtëzuar madje edhe me një dalje vetëm në zgjedhjet e ardhshme lokale. Arsyet për ndryshime janë kështu për dy partitë e mëdha shumë të vogla, sa për të llogaritur një përplasje të re ndërtuar mbi këtë çështje.
Këtu duhet llogaritur edhe fakti se partitë e vogla të opozitës kanë humbur ritmin e tyre për të kërkuar ndryshime në kod, i cili u lë atyre vetëm një shpresë për mbijetesës politike dhe që është koalicioni i detyruar me PS. Por një shenjë e asaj çfarë kjo e fundit sheh si problematike në ligjin ekzistues mund të kuptohet në kërkesën këmbëngulëse për kushtëzimin e reformës zgjedhore me hetimin parlamentar të 28 qershorit 2009. Duke u mjaftuar vetëm me kutitë e materialeve zgjedhore, PS ka nënvizuar interesin e saj për adresimin e manipulimit si një proces teknik, që mund të shihet te listat e zgjedhësve, procesverbalet e komisioneve etj. Mbi këtë pretendim, duhet vlerësuar se procesi i rishikimit të Kodit Zgjedhor për sa i përket opozitës, synon më shumë korrektime sesa ndërhyrje të vërteta.
Top Channel