Seria A, Milani vijon kryesimin

21/11/2010 08:35

Milani vazhdon të udhëheqë kampionatin italian, pasi edhe në këtë javë ka arritur të fitojë, duke mundur në San Siro 1-0 Fiorentinën.

Një ndeshje të cilën kuqezinjtë e kanë kontrolluar që nga minuta e parë, megjithatë, vetëm një herë kanë mundur të shënojnë në portën kundërshtare dhe autori mbetet i njëjti, Zllatan Ibrahimoviç.

Në mbyllje të pjesës së parë, suedezi bën mrekullinë brenda zonës duke shtangur jo vetëm mbrojtjen, por edhe portierin e Fiorentinës me golin e vetëm të këtij takimi.

Këto tre pikë e çojnë në kuotën e 29 pikëve skuadrën kuqezi me një distancë prej 4 pikësh nga Lazio që do të zhvillojë ndeshjen e radhës ditën e dielë kundër Parmës.

Ndërkohë deri përpara një muaji Roma nuk arrinte të luante mirë, tashmë por prej javësh po konfirmon gjithnjë e më shumë një formë të mirë.

Fitorja 2-0 ndaj Udinezes në këtë javë e ngjit skuadrën e Ranierit në vendin e tretë në klasifikim.

Francezi Menez zhbllokon rezultatin në pjesën e parë, për t’i lënë në pjesën e dytë radhën Borrielos.

Të pandryshueshme kanë mbetur shifrat deri në fundin e takimit, kur verdhekuqtë mbetën me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Burdizos, pas një incidenti me një nga lojtarët kundërshtarë.

Gjithsesi ishin të pakta minutat në vazhdim për të ndryshuar këtë rezultat që i jep tre pikë shumë të rëndësishme Romës.

Top Channel