Berisha: Shqipëria në Samit, pjesëmarrje historike

21/11/2010 19:25

Kryeministri Berisha ka folur para mediave pas kthimit të tij nga Samiti i Lisbonës duke e cilësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në samitin e NATO-s si pjesëtar me të drejta të plota dhe të barabarta një fakt historik.

Berisha theksoi se në këtë samit, i cili sipas tij është më i rëndësishmi në historinë e Aleancës, u bë një rivlerësim i rreziqeve potenciale dhe reale të sotme duke vendosur theksin tek terrorizmi ndërkombëtar.

Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi se ky samit rikonfirmoi politikën e dyerve të hapura dhe Aleanca shprehu gadishmërinë për të vazhduar kontributin në sigurinë dhe paqen e rajonit dhe disponueshmërinë per pranimin në gjirin e saj të vendeve të tjera.

“Ishte nder dhe kënaqësi të përfaqësoje Shqipërinë si vend i barabartë midis antarëve të NATO-s. Shpreha mbështetjen e Shqipërisë për strategjinë e NATO-s dhe për ndërhyrjen aty ku është e nevojshme. Qeveria do të zgjerojë më tej pjesëmarrjen në Afganistan dhe do kontribuojë në rindërtimin e tij, sidomos në fushën e arsimit”, u shpreh Berisha.

Më tej, kryeministri shqiptar theksoi se dy ishin momentet e rëndësishme të samitit për vendin tonë: “Së pari, për herë të parë Shqipëria ulej si vend anëtar me të drejta të plota dhe të barabarta me vendet e tjera anëtare, si vend me kontribut shumë të vlerësuar nga aleatët tanë. Së dyti, u shpreh vendosmëria nga Aleanca për të qenë në Kosovë si shtyllë kryesore paqeje dhe stabiliteti si dhe u shpreh vleresim për FSK dhe forcat e rendit të Kosovës.”

Përsa i përket kërkesave të opozitës për hetimin e zgjedhjeve Berisha u shpreh shkurt se “çdo kërkesë e paraqitur për hetimin e zgjedhjeve në përputhje me procedurën ligjore në parlament nga PS do shqyrtohet me seriozitet. Mazhoranca respekton Kushtetutën”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA