Januzi: I gëzuar që debutova me Kombëtaren

20/11/2010 14:00

Ahmed Januzi ndihet i gëzuar pasi më në fund arriti të debutonte me Kombëtaren shqiptare, në miqësoren e së mërkurës. Sulmuesi u aktivizua vetëm 12 minuta në ndeshjen e luajtur në Korçë përballë Maqedonisë, që përfundoi në barazim 0-0. Në minutën e 78-të të takimit ai zëvendësoi sulmuesin titullar, Hamdi Salihi, ndërsa pati edhe një rast të mirë për shënim.

Pavarësisht minutazhit të pakët që kishte në dispozicion dhe faktit që nuk arriti të gjente rrjetën në shansin e dhënë, 22-vjeçari i cili luan me Vorskla Poltavan në Ukrainë, deklaron se nuk do ta harrojë kurrë momentin kur hyri për herë të parë në fushë me fanellën kuqezi.

“Për mua ishte një gëzim i veçantë fakti që debutova me përfaqësuesen, edhe pse nuk luajta shumë minuta. Faktikisht, më duket e pamundur që të qëndroja më shumë në fushë, pasi rezultati ishte i barabartë dhe objektivi ynë ishte ta fitonim këtë miqësore me Maqedoninë. E dominuam ndeshjen, por nuk arritëm të fitonim. Nëse Shqipëria do të kishte arritur të shënonte në pjesën e parë, sigurisht që trajneri do të më aktivizonte më shpejt”, – tha Januzi për të përditshmen kosovare “Express”.

Përpara këtij takimi, ai ishte ftuar edhe pesë herë të tjera në Kombëtare, por asnjëherë nuk i ishte dhënë mundësia që të luante. Lojtari është bërë pjesë e skuadrës, pas paraqitjeve bindëse me ekipin Under-21 të Shqipërisë.

Edhe pse dëshironte të luante më shumë, sulmuesi shprehet se gradualisht do ta fitojë besimin e trajnerit Josip Kuzhe dhe është optimist se në të ardhmen do të ketë edhe më tepër hapësira. “E rëndësishme është që po ftohem rregullisht në Kombëtare, dhe kjo më gëzon. Mua më mbetet të luaj sa më mirë te Vorskla Poltava, në mënyrë që trajneri Kuzhe të vazhdojë të më grumbullojë në Kombëtare. Kam më pak eksperiencë se Bogdani apo Salihi, kjo është arsyeja përse nuk luaj. Megjithatë, dalëngadalë do të fitoj përvojën e duhur dhe besoj se do të më shihni më shpesh në fushë”, – shtoi Januzi. Ai tregoi se pas ndeshjes është përgëzuar nga trajneri Kuzhe për paraqitjen e bërë. Përveç Januzit, kundër Maqedonisë drejtuesi i stolit kuqezi i dha shansin që të debutonte edhe mesfushorit të Kievios, Ledian Memushaj.

Top Channel