Bylis, një pikë dhe shumë kontestime

20/11/2010 12:20

Ka përfunduar pa gola, por mes kontestimeve ndeshja Bylis-Vllaznia, e cila hapi fazën e dytë të Kategorisë Superiore.

Në Ballsh, skuadra e drejtuar nga Nikola Ilievski nuk ka mundur të marrë me tepër se barazimi 0-0, ndërkohë që në fund të ndeshjes nuk kanë munguar pretendimet e vendasve, të cilët akuzojnë “xhaketat e zeza” të drejtuar nga kryesori Artan Taullai, për një 11-metërsh të paakorduar dhe një gol të anuluar në sekondat e fundit të ndeshjes.

Këto dy episode kanë shkaktuar mjaft pakënaqësi te vendasit, të cilët kanë debatuar me gjyqtarët në përfundim të 90-minutëshit. Madje, jashtë stadiumit “Adush Muça” u përfol se në tunelin nga ku hyhet në dhomat e zhveshjes nuk kanë munguar konfrontimet fizike me njërin prej asistentëve, pikërisht me atë që e cilësoi të parregullt golin që mund t’i jepte Bylisit tri pikë mjaft të rëndësishme.

Megjithatë, këto zëra u hodhën menjëherë poshtë nga sektori i garave në FSHF. Ilir Shulku, i cili drejton zyrën për mbarëvajtjen e kampionatit, konfirmoi se ka pasur kontestime, por situata nuk e kaloi cakun. “Nuk e di se nga dolën zërat për goditjen e njërit prej asistentëve të gjyqtarit. Gjithsesi, unë mund të them se kam folur me arbitrat pasi ndeshja përfundoi dhe ata nuk ma thanë diçka të tillë. Më pohuan se ka pasur kontestime nga vendasit për një ose dy episode, megjithatë pa e kaluar cakun”, – deklaroi Shulku.

Ndeshja e parë e javës së 12-të të kampionatit është luajtur pa praninë e tifozëve (pas pezullimit me dy ndeshje nga Disiplinori për problemet në sfidën e mëparshme me Shkumbinin), dhe në një terren mjaft të vështirë, për shkak të reshjeve të shiut. Fusha e Ballshit ishte në një gjendje të rënduar, duke mos i lejuar dy skuadrat që të shfaqin lojën e tyre më të mirë. Gjithsesi, kjo nuk e ka ndaluar Bylisin, por edhe Vllazninë që të kërkojnë fitoren. Mallakastriotët kanë qenë disa herë pranë golit, por pa mundur që ta dërgojnë topin në rrjetë. Kjo, edhe për meritë të portierit Armir Grima, i cili ka debutuar në skuadrën shkodrane në këtë kampionat, pas dëmtimit të “gardianit” titullar, malazezit Vujadinoviç. 36-vjeçari ka qenë vendimtar në tri raste dhe më ndërhyrjet e tij nuk ka lejuar avantazhin e vendasve, duke i dhënë siguri të besuarve të Mirel Josës.

Tekniku tiranas duket se ka gjetur “kurën” për Vllazninë, e cila ka gjetur ekuilibra në lojën e saj dhe vazhdon të grumbullojë pikë. Formën e mirë të tyre e konfirmon barazimi i së premtes, që erdhi pas dy fitoreve me Elbasanin dhe Tiranën. Shkodranët qëndrojnë në vendin e 4-t në tabelën e klasifikimit, ndërsa ngjiten në kuotën e 18 pikëve (4 më pak se Skënderbeu i vendit të tretë). Me këtë barazim, kuqeblutë vazhdojnë ecurinë pozitive, me tre ndeshje pa pësuar humbje. Në anën tjetër, Bylis ka bërë një hap fals, pasi me çdo javë që kalon gara për mbijetesë bëhet më e fortë. Me pikën e marrë gjatë ditës së djeshme, ballshiotët qëndrojnë në zonën “e ftohtë” të tabelës. Edhe pse kapin Kastriotin në kuotën e 11 pikëve, ata mbeten në vendin e 10-të, që ndryshe përkthehet si zona “play-out”.

Top Channel